Foto ilustruese: Pixabay

Nga pakoja fiskale mund të përfitojnë edhe punëtorët që deri më sot kanë punuar 'në të zezën’

Punëtorët të cilët kanë qenë duke punuar në të “zezën”, pa kontrata pune, kanë mundësi që të përfitojnë nga 130 euro për dy muaj nga buxheti i shtetit.

Kjo është paraparë në masën e 14 të Pakos Emergjente fiskale të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Krejt çka duhet të bëjnë kompanitë është që këta punëtor t`i deklarojë si punëtor të rijnë, duke u lidhur kontrata 1 vjeçare gjatë kohës së Pandemisë në Kosovës.

Kjo masë vije si stimulim i punësimit dhe formalitetit ka thënë kryeministri Albin Kurti gjatë një konference të mbajtur për media mëngjesin e sotëm.

Për të iu dalë në ndihmë kësaj kategorie të të punësuarve Qeveria ka ndarë 6 milionë euro.

Kushtet e përfitimit të këtyre pagave nga pako fiskale janë:

“Lidhja e kontratës 1 vjeçare, plotësimi i formularit në ATK duke kërkuar kompensimin e pagave, kontrata të nënshkruhet pas fillimit të pandemisë në Kosovë, punëtorët të deklarohen në listën e pagave nga biznesi si dhe punëtori të ketë llogari bankare në Kosovë”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Pako emergjente fiskale e miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës ka paraparë që t`i dalë në ndihmë kategorive të ndryshme sociale, punëtorëve dhe bizneseve me rastin e uljes së intensitetit të punës gjatë gjendjes emergjente me pandeminë e coronavirusit në Kosovë.

Për këto ndihma qeveria ka ndarë 170 milionë euro të cilat do të ndahen në 15 masa të ndryshme për përkrahjen e qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë.