Nesër mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Kosovës

Nesër (e enjte) në mëngjes pritet të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Kosovës.

Kështu kanë bërë të ditur burime të KALLXO.com brenda Qeverisë së Kosovës.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare mblidhet pas zhvillimeve javët e fundit në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës njoftoi se të mërkurën në mesditë tre zyrtarë policorë kufitarë u kidnapuan nga forcat serbe në veri.

Që nga mesdita e 26 majit serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar vendosjen e katër kryetarëve të rinj në objektet komunale.

SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Pas tensioneve në veri, SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23.

Sot BE-ja ka vendosur “masa kufizuese” ndaj Kosovës por që nuk i ka quajtur sanksione.