Nënshkruhet marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve profesionale

Në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Tiranë, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve profesionale.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka publikuar në Facebook drejtpërdrejt nënshkrimin e marrëveshjes, ka thënë se kjo do të lehtësojë shfrytëzimin e burimeve njerëzore.

“Nënshkrimi i marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve profesionale, ku shtohen tanimë disa profesione të tjera, duke lehtësuar më tej lëvizjen e profesionistëve dhe shfrytëzimin e potencialit të madh të burimeve tona njerëzor”- ka shkruar ai.

Procesi i Berlinit është një nismë e iniciuar më 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel.

Ky proces përqendrohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

Procesi përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën.