Seanca ndaj Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt (06.10.2022), Foto: KALLXO.com

Nëna dhe motra e Agonis Tetajt lëshojnë sallën e gjykimit kur transmetohen pamjet e vrasjes

Nëna dhe motra e të ndjerit, Agonis Tetaj, kanë lëshuar sallën e gjykimit kur në gjykatë është marrë vendim për lëshimin e pamjeve të ditës kritike.

Ato kërkuan nga gjykata të dalin jashtë sallës gjatë kohës sa shikohen kamerat nga vendi i ngjarjes, ku kishte mbetur i vdekur Agonis Tetaj.

Në sallë ka qëndruar babai i të ndjerit Agonis Tetaj, dhe palët e tjera në procedurë.

Seanca është duke vazhduar me shikimin e videoincizimeve.

Pas më shumë se një viti bllokim të procesit gjyqësor, sot Shaban Gogaj po ballafaqohet me akuzën për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt.

Kjo pasi janë krijuar kushtet për vazhdim të procesit gjyqësor. Gjykata e ka caktuar si mbrojtëse avokaten Sabrije Abazi.

Shaban Gogaj përseri e kundërshtoi mbrojtjen e caktuar nga gjykata.

Trupi gjykues vendosi që të vazhdohet me seancë gjyqësore.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

Procesi gjyqësor i Shaban Gogajt është bllokuar prej momentit kur avokati Besnik Berisha ishte përjashtuar nga e drejta për mbrojtje në këtë çështje penale.

Gogaj po mbahet në paraburgim prej ditës kur ka ndodhur vrasja e Agonis Tetajt.

Sipas aktakuzës se prokurorisë, më 23 shtator të vitit 2021, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxorri revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Të gjitha raportimet e KALLXO lidhur më këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.