Zubin Potok barrikada

Barrikada në zonën e Zubin Potokut, Foto: KALLXO.com

Në Zubin Potok, KFOR-i po qarkullon përmes rrugës alternative pasi rruga kryesore është e bllokuar

Një rrugë alternative po përdoret nga ekipet e KFOR-it për të monitoruar situatën nga afër pas tensioneve të ngritura në veri të Kosovës.

Rruga magjistrale e cila lidh pjesën e Mitrovicës së Jugut, me fshatrat, rrugë që vazhdon për në Zubin Potok e Bërnjak është bllokuar në afërsi të fshatit Zupçe.

Në këtë fshat në të kaluarën pati edhe sulme ndaj policisë kufitare të cilët patrullonin herë pas here.

KALLXO.com ju sjell pamje të KFOR-it dhe barrikadave të ngritura në Zubin Potok nga qytetarët.

Zubin Potok barrikada
Barrikada në zonën e Zubin Potokut, Foto: KALLXO.com

Për të ngritur barrikadën qytetarët kanë vendosur makineri të rënda. Edhe këto ngjashëm sikurse në fshatin Rudarë janë pa tabela.

Lokacione të ndryshme në veri të Kosovës janë bllokuar si pasojë e barrikadave të vendosura nga qytetarët që jetojnë në këtë zonë.

Të njëjtat janë vendosur pas alarmit të lëshuar ditën e shtunë kur edhe u arrestua ish-zyrtari policor Dejan Pantiq nën dyshimet se organizoi sulmin ndaj zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor që gjendet në Mitrovicën Veriore.

KALLXO.com po përcjell nga afër zhvillimet në këtë zonë.

Barrikada zubin potok
Barrikada në Zubin Potok, Foto:KALLXO.com

Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka njoftuar se edhe sot vijon që situata të jetë e qetë ndërsa nuk është shënuar ndonjë incident.

Tutje të njëjtit kanë thënë se po vazhdojnë me detyrat e përcaktuara për të ofruar rend dhe siguri.

Në katër komunat me shumicë serbe situata nisi të tensionohej një javë më parë, kur fillimisht zyrtarët e lartë të përzgjedhur nga KQZ nuk u lejuan që të futeshin brenda zyreve komunale për të nisur procesin e zgjedhjeve që priteshin të mbaheshin më 18 dhjetor.

Zyret e KKZ u sulmuan me mjete shpërthyese ndërsa zyrtarët e lartë u tërhoqën dhe nuk vazhduan tutje.

Më pas Policia e Kosovës vendosi që të siguronte Lagjen e Boshnjakëve për shkak të incidenteve që u raportuan aty.

Dërgoi dhjetëra zyrtarë policor për t`u vendosur në rrugë të ndryshme që përshkojnë Lagjen e Boshnjakëve deri te Shkolla Teknike në Mitrovicën Veriore.

Përgjatë këtyre ditëve pati të raportuar edhe sulme, shkëmbime me armë zjarri mes policisë dhe grupeve kriminale në veri të vendit.

Një zyrtar policor është plagosur pasi persona të maskuar gjuajtën me armë zjarri në drejtim të tyre.