Ndërtimi i një rruge në Prishtinë, rekomandohet kompania me ofertën mbi 26 mijë euro më shtrenjtë se vlera e parashikuar

Komuna e Prishtinës e ka rekomanduar për kontratë një kompani me ofertë mbi 26 mijë euro më shumë se sa vlera të cilën e kishte parashikuar për ndërtimin e rrugës “Nekibe Kelmendi” në kryeqytet.

Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 500 mijë euro. Ndërsa, për tender është rekomanduar kompania  “Gërlica” Sh.p.k, me ofertën prej 526 mijë e 736 e 83 euro.

Të gjithë operatorët ekonomikë kanë ofertuar me çmime mbi vlerën e parashikuar prej 500 mijë eurove. Më e lira ka qenë kompania e rekomanduar, “Gërlica”.

Njoftimi për kontratë është publikuar më 3 mars 2022. Ndërsa, njoftimi për dhënien e kontratës është publikuar pesë muaj më vonë, saktësisht më 4 gusht 2022.

Lloji i procedurës së përdoruar në këtë tender është ajo e kufizuar.

Rruga “Nekibe Kelmendi” fillon në rrugën Prishtinë – Gjilan (M25.2) dhe vazhdon në drejtim të Pallatit të Drejtësisë. Gjatësia e saj është 2,098.57 metra ndërsa gjerësia është rreth 5 deri në 5.5 metra.

Në raportin teknik thuhet se rruga ekzistuese është rrugë mjaft e dëmtuar. Sipas Komunës së Prishtinës, ka dëmtime në shtresën qarkulluese si dhe në bazën e saj. Aty përshkuhet se asfalti është mjaft i dëmtuar. Më tej thuhet se bankinat nga dheu, largimi i ujrave atmosferike bëhet në siperfaqe dhe nuk ka kanalizim atmosferik.