Në vitin 2022 pati ndalim masiv i internetit nga shtete të ndryshme të botës

Më shumë shtete e kanë ndaluar internetin në vitin 2022 se asnjëherë më parë, sipas një raporti të ri nga studiues të të drejtave dixhitale, ndërkohë që kërcënimi i “autoritarizmit dixhital” është në axhendën e shumë qeverive në mbarë botën.

Autoritetet në 35 shtete kanë marrë vendime për ndalim të internetit të paktën 187 herë, sipas vëzhguesit të të drejtave dixhitale me bazë në Nju Jork, Access Now. Gati gjysma e këtyre mbylljeve ndodhën në Indi, dhe nëse ky shtet nuk merret parasysh, viti 2022 ka parë numrin më të madh të mbylljeve globalisht që kur grupi filloi t’i monitoronte ndërprerjet në vitin 2016. Access Now u mbështet në vlerësimet teknike, si dhe në artikujt e lajmeve dhe llogaritë personale për të përpiluar raport, i cili përfshin ndërprerje të plota, pezullime të rrjeteve specifike telefonike ose aplikacioneve të mediave sociale dhe ngadalësimin e shpejtësisë së internetit.

Shkaktarët kryesorë për ndalim kanë përfshirë protesta të mëdha, situata konflikti, zgjedhje dhe madje edhe provime (nëpër shkolla dhe universitete). Sido që të jetë situata, ato e bëjnë shumë më të vështirë për njerëzit komunikimin dhe marrjen ose dërgimin e lajmeve, si dhe kanë kosto të konsiderueshme ekonomike, gjë që bëri që Kombet e Bashkuara vitin e kaluar t’u bëjnë thirrje qeverive që ta shmangin përdorimin e një taktike të tillë.

“Kjo mund të jetë një shenjë e madhe paralajmëruese se si po përkeqësohet situata e të drejtave të njeriut dhe ndalimet e internetit shpesh shoqërohen me nivele të rritura të pasigurisë dhe kufizime të tjera”, thotë Liz Throssell, zëdhënëse në Zyrën e OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë.

India është vendi më pjellor në pezullimin e internetit, duke e kryesuar listën e Access Now për të pestin vit radhazi.

Shumica e 84 ndërprerjeve të këtij shteti të Azisë Jugore u regjistruan në Kashmirin e administruar nga India, pjesë e një rajoni të diskutueshëm në Himalaje. India ka shprehur ndonjëherë një dëshirë për t’i kontrolluar trazirat sociale në territorin ku ka një lëvizje separatiste. Si reagim të një ndalese më shumë se 100-ditore të internetit në Kashmir, Gjykata e Lartë e Indisë vendosi në vitin 2020 se pezullime të tilla duhet të jenë proporcionale dhe për një periudhë të caktuar.

Pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 dhe protestat masive civile në Iran çuan gjithashtu në ndalim të internetit, raporton Access Now.

Të 22 incidentet e ndalesës të regjistruara në Ukrainë ishin rezultat i veprimeve ruse, duke përfshirë sulmet kibernetike dhe ajrore që kishin si shënjestër infrastrukturën e komunikimit të Ukrainës, thuhet në raport. Shërbimet ukrainase të internetit, të mbështetura nga partnerë të huaj, mbeten relativisht elastike, ka raportuar The Washington Post.

Në Rusi, Moska e ka bllokuar gjithashtu qasjen në shërbime të tilla si Twitter, Facebook dhe Instagram, në atë që raporti thoshte se ishte pjesë e një goditjeje më të gjerë ndaj disidencës dhe një përpjekje për të kontrolluar propagandën për pushtimin e Ukrainës.

Ndërkohë që Teherani zyrtar i shtyp me dhunë protestat e shkaktuara nga vdekja e një gruaje të re në paraburgimin e “policisë së moralit” të tij, qeveria teokratike e këtij vendi po imponon gjithashtu ndalesa të mediave sociale. Autoritetet vendosën një rekord prej 18 ndalesash në vitin 2022, të cilat përfshinin bllokimin e Instagramit dhe shërbimit të mesazheve WhatsApp, thuhet në raport. Dy platformat globale të mediave sociale kanë qenë të vetmet të qassshme në Iran vitet e fundit, shtoi ai.

Autokratët në Etiopi dhe Mianmar i kanë përdorur pezullimet e internetit për ta plotësuar strategjinë ushtarake duke e ndërprerë qasjen për popullsi të zgjedhura për muaj apo vite, thanë autorët.

Sipas Access Now pezullimi i internetit në rajonin verior etiopian të Tigray, i vendosur për herë të parë në vitin 2020, është ndalesa më e gjatë aktive në botë. Rrjetet telefonike në zonë u raportuan se janë rilidhur përsëri pas një armëpushimi të rënë dakord në nëntor, mirëpo Access Now vuri në dukje në muajin shkurt se qasja në internet ishte ende e ngadaltë ose e degraduar.

Junta ushtarake që rimori pushtetin në Mianmar pas një grushtshteti të vitit 2021, ka vendosur gjithashtu pezullime gjithëpërfshirëse të internetit në të gjithë vendin. Të gjitha 330 fshatrat e saj ishin subjekt i të paktën një mbylljeje vitin e kaluar, thuhet në raport./Washington Post