Shtrimi i rrugës, një natë para zgjedhjeve - Mazgit i Epërm Obiliq, 13 nëntor 2021

Në Mazgit të Epërm të Obiliqit asfaltohet rruga një natë para zgjedhjeve – VIDEO

Ndonëse një natë para zgjedhjeve të së dielës, kjo nuk e ka ndaluar Komunën e Obiliqit që të shtrojë asfalt në një rrugë të fshatit Mazgit i Epërm i kësaj komune.

KALLXO.com ka pranuar një raportim nga një qytetar, se sonte po asfaltohet rruga “Dita e Flamurit” në Mazgit të Epërm, tek familja Zhegrova.

Këtë veprim e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe nënkryetari i Komunës së Obiliqit, Ibush Mjekiqi.

Ai tha se do t’i shtrojnë rrugët jo vetëm një natë para zgjehdjeve por gjithmonë, duke shtuar se kjo nuk ka të bëjë me procesin zgjedhor, por se është projekt i komunës që duhet të përfundojë.

“Jo një natë para zgjedhjeve, por do të shtrohet ajo rrugë nesër, pasnesër dhe gjithmonë do të shtrohet. Nuk ka të bëjë me zgjedhje, është projekt që do të realizohet. Në Mazgit jemi duke punu, në secilën pjesë të Obiliqit, ku i kemi projektet duke vazhduar, janë duke u zhvilluar ato” tha ai.

 

I pyetur për ndikimin e mundshëm në procesin zgjedhor shtrimi i rrugës, nënkryetari tha se nuk e di për këtë, teksa ka shtuar se shtrimi i asfaltit po bëhet tek një familje që nuk janë mbështetës politik të tyre.

“E ke fjalën ndikim në votime? Nuk e di për atë punë, është cështje që e vlerësojnë ata. Në lagjen Zhegrova s’i kemi ata mbështetës tonë por edhe ku s’i kemi ne i shtrojmë rrugët”, tha ai.

Komuna e Obiliqit udhëhiqet nga kryetari Xhafer Gashi, i cili më herët ka qenë pjesë e AAK-së, kurse tani në zgjedhje e së dielës garon me Iniciativën Qytetare për Obiliq.

Gashi do të përballet në balotazh me kandatin nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi.