Komuna e Gjakovës, FOTO: KALLXO.com

Investimi i Komunës së Gjakovës - Shtylla elektrike mbetet në mes të asfaltit të ri - FOTO

Komunës së Gjakovës i ka dalur problem zgjerimi i rrugës ‘’Gani Sadrija’’ në fshatin Babaj të Bokës. Kjo pasi në mes të rrugës është e lënë një shtyllë elektrike, e cila e pengon lëvizjen e lirw të banorëve të kësaj lagjeje.

Fshati Babaj i Bokës – Gjakovë

Më 23 korrik, kryetari i komunës, Ardian Gjini, promovoi projektin e asfaltimit të kësaj rruge, por në fotot e publikuara shihet se shtylla elektrike qëndron në mes të rrugës.

Pas kësaj, KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Gjakovës dhe kompaninë për distribuimin e energjisë elektrike, KEDS, për këtë çështje.

Zyrtarja për informim në Komunën e Gjakovës, Nita Efendia tha për KALLXO.com se kjo shtyllë do të largohet së shpejti.

“Sipas informatave që morëm nga Drejtori i Shërbimeve Publike dhe komunikimit që ka pasur ai me KEDS, ajo shtyllë e vendosur shumë shpejtë do të largohet nga aty”, tha ajo.

Por, një version tjetër ka dhënë zëdhënësi për informim në KEDS, Viktor Buzhala. Ai tha se shtylla elektrike e vendosur në këtë zonë ka qenë jashtë rrugës, por sipas tij, zgjerimi i saj nga ana e komunës e ka lënë në këtë gjendje.

“Shtylla ka qenë jashtë rrugës, por komuna e ka bërë zgjerimin e rrugës. Në këto raste duhet paraprakisht që të bëhet kërkesë në KEDS për dislokim të shtyllës, gjë që s’ka ndodhë”, tha Buzhala për KALLXO.com

Sipas tij, komuna duhet të bëjë kërkesë për dislokimin e kësaj shtylle.

“Pas kësaj jepet zgjidhja teknike dhe më pas pala kërkuese duhet ta bëjë dislokimin e saj në bazë të asaj zgjidhje. Pra, në bazë të ligjit, dislokimin duhet ta bëjë pala kërkuese”, tha Buzhala për KALLXO.com