Gjakova. Foto: Kallxo.com

Bllokohet qendra e Gjakovës, nis riasfaltimi i rrugës kryesore, për shkak të punëve të bëra keq

Për shkak të cilësisë së dobët të asfaltit të shtruar, Komuna e Gjakovës është detyruar ta bllokojë sërish rrugën ‘Nënë Tereza’ në qendër të qytetit, pasi kompania që ka kryer punimet duhet të ri-kryejë ato.

Sipas një përgjigje me shkrim të drejtorit të Shërbimeve Publike, Shkumbin Kastratit, gërryerja e shtresës së sipërme të asfaltit do të bëhet me rekomandim të menaxherit të kontratës si dhe kompanisë për mbikëqyrje të punimeve.

Kastrati, ka pranuar që ka pasur problem me cilësinë e shtresës së sipërme të asfaltit, ndërsa sipas tij, kompania e cila është duke i kryer punimet, do t’i bartë shpenzimet.

“Kompania e cila është duke i kryer punimet, është e obliguar që punimet t’i bëj sipas kritereve të parashtruara në kontratë. Në momentin e identifikimit të problemeve si cilësore ashtu edhe sasiore, kompania është e obliguar që t’i bart mbi vete të gjitha shpenzimet deri në pranimin final teknik të punimeve”, thuhet në përgjigje të Kastratit dhënë për KALLXO.com.

Bllokimi i rrugës për automjete, sipas njoftimit të Komunës së Gjakovës, do të bëhet nga data 20 maj deri më 22 maj 2021, nga ora 07:00 deri në 18:00.

Për zgjerimin e kësaj rruge, banorë dhe opozita në qytetin e Gjakovës kishin protestuar disa herë.

KALLXO.com do të vijoj të raportoj për këtë rrugë për të parë nëse ajo do të përmbyllet sipas kritereve që janë paraparë me kontratë.

Gjakovë, banorët dhe opozita protestojnë kundër ndërtimit të një rruge