Skema e përfitimeve nga asfalti në Komunës së Klinës

Sonte në emisionin “Drejtësia në Kosovë” do të transmetohet hulumtimi mbi dyshimet për keqpërdorime në Komunën e Klinës me tenderë për asfalt.

Hulumtimi i sotëm zbulon se çka ndodhë me aneks kontratat dhe me salltat të cilat mundësojnë që kompanitë të marrin tenderët dhe të paguhen më shumë se sa do të duhej të paguheshin.

Në Komunën e Klinës ku qeveris Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me kryetar Zenun Elezajn, kompania e vëllezërve të Sylemjan Selimit ka përfituar nga një aneks kontratë për shtrim asfalti.

Ekipi i emisionit “Drejtësia në Kosovë” zbuloj se aneks kontrata është dhënë për punë bazike të cilat do të duhej të ishin paraparë në fillim.

Hulumtimi tregon se gjatë vitit 2018 komuna e Klinës ka nënshkruar 21 aneks  kontrata për punë shtesë në vlerë mbi 280 mijë euro.

Emisioni Drejtësia në Kosovë ka zbuluar se kjo komunë ka kontraktuar me çmime shumëfish me të shtrenjta punët në aneks kontratë se sa në kontratën bazë.

Çmimi për një metër katror zift i njohur si emulizion është caktuar të jetë 1 euro e 20 cent, ndërsa në të tjera projekte ky produkt është përcaktuar me 10 cent për metër katror.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetohet çdo të premte prej orës 22:20 në RTK dhe live në Facebook të KALLXO.com.