Foto: Arkive/Policia e Kosoves

Në Graçanicë e Fushë Kosovë deponohen mijëra monedha dy euroshe false

Dy zyrtare të Bankës në Preoc të Graçanicës kanë raportuar se kohët e fundit nga klientë të ndryshëm janë deponuar monedha metalike të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.

Sipas policisë, gjithsej 3,295 monedha 2 euroshe në vlerë 6,590 janë konfiskuar për ekzaminime të mëtejshme.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori.

Për rast të njëjtë është ankuar edhe një zyrtare e bankës në Fushë Kosovë e cila ka raportuar se më 11 dhjetor klientë të ndryshëm kanë deponuar 364 euro monedha të ndryshme metalike, shumica prej tyre në vlerë 2 euro, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara.

Edhe në këtë rast, sipas policisë, monedhat janë sekuestruar për ekzaminime të mëtejshme, derisa është njoftuar edhe prokurori.