Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay

Ndryshimi i Kodit Penal, testimi i virgjërisë pritet të bëhet vepër penale

Qeveria e Kosovës e ka miratuar sot Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Kosovës, në të cilin, testimin e virgjërisë e ka klasifikuar si vepër penale.

Përmes këtij ndryshim-plotësimi, parashihet ashpërsimi i dënimeve kundër personave që shpallen fajtorë për veprat penale “Dhunim”, “Sulm seksual” dhe “Dhunë në familje”.

Sipas këtij Projektligji, testimi i virgjërisë është paraparë si vepër e re penale.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha që pas rritjes së rasteve, me procedurë të përshpejtuar kanë marrë hapat e nevojshëm për rishikimin e masave ndëshkuese për kryesit e veprave penale, “pasi që po konsiderohet se aq sa janë të ndëshkueshme nuk janë të mjaftueshme”.

“Përmes këtij projektligji, kemi paraparë që për veprat penale të dhunimit dhe të sulmit seksual dhe të dhunës në familje, të shtohen si dënime plotësuese si në vijim: ndalimin e të drejtës së kandidatit në pozitë publike nga 3-10 vite personit fajtor, ndalimin e punësimit në sektorin publik në të gjitha nivelet personit që shpallet fajtor për dhunim, ndalimin e të drejtës në përfitimin e patentfshoferit në çdo lloje të kategorisë nga 1-5 vjet personit që shpallet fajtor, ndalimi i aplikimit si investitor strategjik nga 3-10 vite” – tha ajo.

Haxhiu po ashtu tha që me këtë plotësim-ndryshim, lista e dhunuesve do të jetë publike.

“Gjykata urdhëron publikimin e aktgjykimit për personin që shpallet fajtor për veprën penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje si dhe KGjK e mban regjistrin, ndaj do të jetë publik, me emër dhe mbiemër për personat që shpallen fajtorë për vepra penale” – tha ajo.

Haxhiu ka thënë se Kosova nuk ka jetë grash dhe vajzash për të humbur.

“Kosova nuk ka jetë grash dhe vajzash për të humbur. Na duhet angazhimi i çdo njërit nga ne për ta ç’rrënjosur dhunën ndaj grave” – ka thënë ajo.

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të procedurës penale.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se krahas ndryshimeve në Kodin Penal, janë bërë ndryshime edhe në Kodin e procedurës penale. Ajo tha se me këto ndryshime parashihen ndryshime procedurale për trajtimin e veprave penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje.

“Krahas ndryshimeve në Kodin Penal të Kosovës, ne kemi bërë ndryshime edhe në Kodin e procedurës penale. Me këto ndryshime parashihen ndryshime procedurale për trajtimin e veprave penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje të cilat kanë marrë përmasa shqetësuese. Këtu parashihet përshpejtimi i procedurave për të siguruar hetim dhe gjykim efikas” – tha Haxhiu.

Pas miratimit në Qeveri, projektligjet do të shkojnë në Kuvendin e Kosovës.

Qeveria miraton projektligjin për ndryshimin e Kodit Penal, lista e të dënuarve për dhunim do të jetë publike