Vendi ku u vra Oliver Ivanoviq, Mitrovicë e Veriut Foto: Adelina Ahmeti/ KALLXO.com - 16 janar 2024

Ndizen qirinj për Oliver Ivanoviqin në përvjetorin e vrasjes së tij

Qytetarë u mblodhën në qytetin e Mitrovicës së Veriut dhe në Beograd për të shënuar përvjetorin e vrasjes në janar 2018 të politikanit opozitar Oliver Ivanoviq, vrasësi i të cilit mbetet ende i paidentifikuar deri më tani.

Gjashtë vjetori i vrasjes së politikanit opozitar serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, u shënua me ngjarje përkujtimore në Mitrovicën e Veriut, Kosovë, ku ai u vra, dhe në kryeqytetin serb, Beograd.

Disa nga familja e Ivanoviqit, së bashku me miq, ish-kolegë dhe mbështetës, ndezën qirinj para zyrës së partisë së tij politike, ku ai u qëllua në mëngjesin e hershëm të 16 janarit 2018.

Gazeta lokale e lajmeve KosSev raportoi se dhjetëra persona ishin të pranishëm, së bashku me disa politikanë dhe aktivistë të opozitës nga Serbia.

Ivanoviqi ishte kundërshtar i partisë kryesore serbe të Kosovës, të mbështetur nga Beogradi, Lista Serbe, dhe para vdekjes së tij, ai ishte bërë gjithnjë e më i zëshëm në kritikat e tij ndaj qeverisë së Beogradit.

Dejan Nedeljkoviq, aktivist nga Mitrovica e Veriut, tha për mediat pas ngjarjes se ajo ishte organizuar për të treguar se “nuk e kemi harruar dhe kujtojmë se sa na mungon tani”, raportoi KosSev.

“Shpresoj vetëm të mos jemi këtu pas 20 vjetësh, nëse vazhdojmë të jetojmë në Kosovë, me të njëjtën pyetje: ‘Kush e vrau Oliver Ivanoviqin?’”, tha Nedeljkoviqi.

Vajtues para zyrës së partisë së Ivanoviqit. Foto: KosSev.

Në Beograd të martën, zyrtarët serbë, duke përfshirë kryeministren Ana Bërnabiq, ministrin e Mbrojtjes Milosh Vuçeviq dhe kreun e zyrës së qeverisë së Kosovës, Petar Petkoviq, morën pjesë në një meshë për të përkujtuar Ivanoviqin, të mbajtur në katedralen e Shën Savës. E veja e Ivanoviqit, Milena Popoviq dhe djali më i vogël ishin gjithashtu të pranishëm.

Gjykata Themelore e Prishtinës aktualisht po shqyrton një rast kundër gjashtë personave të cilët akuzohen për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit.

Aktakuza akuzon Marko Rosiqin, Silvana Arsoviqin, Nedeljko Spasojeviq dhe Rade Basara si anëtarë të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale që organizoi vrasjen e Ivanoviqit në Mitrovicën e Veriut në janar 2018.

Dy oficerë policie, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, janë gjithashtu në gjyq, të akuzuar për manipulim të provave në këtë rast. Të gjithë të pandehurit janë vetëdeklaruar të pafajshëm.

Aktakuza përmend Milan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i Listës Serbe, së bashku me biznesmenin kontrovers Zvonko Veselinoviq, si udhëheqës të grupit të organizuar kriminal që vrau Ivanoviqin. Megjithatë, as Radoiçiqi e as Veselinoviqi nuk janë në gjyq.

Ministri serb i mbrojtjes, Milos Vuceviq (majtas), kreu i zyrës së Kosovës Petar Petkoviq dhe e veja e Ivanoviqit, Milena Popovi1, në Katedralen Shën Sava të martën. Foto: Instagram/milosvucevic.

Në tetor të vitit të kaluar, një i dyshuar tjetër, Milan Mihajloviq, një serb nga qyteti verior i Kosovës, Leposaviqi, i cili ishte në arrati që nga viti 2019, u arrestua për përfshirje të dyshuar në vrasjen e Ivanoviqit.

Më 16 janar 2014, një politikan tjetër serb i Kosovës, miku i Ivanoviqit, Dimitrije Janicijeviq, u vra gjithashtu në Mitrovicën e Veriut. Askush nuk u soll para drejtësisë për krimin.

Të martën në mbrëmje, në një protestë kundër mashtrimit të pretenduar zgjedhor, opozita serbe do të shënojë edhe përvjetorin e vrasjes së Ivanoviqit./BalkanInsight.