Stadiumi "Fadil Vokrri" | Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com

Ndeshja Kosovë-Greqi, FFK bën thirrje për respektimin e disa rregullave në stadium

Nesër në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri” do të zhvillohet ndeshja Kosovë – Greqi, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka kërkuar që të interesuarit për të parë nga afër ndeshjen të respektojnë disa rregulla për të pasur sa më të lehtë qasjen në stadium.

Sipas FFK-së, rruga përreth stadiumit do të jetë e bllokuar për automjetet, ndërsa këmbësorët do të lejohen që të lëvizin.

Shkuarja në stadium sipas FFK-së duhet të bëhet një orë para ndeshjes për shkak se policia do të jetë e vendosur në perimetrin e dytë dhe do të bëj filtrimin e shikuesve që të mos lejojnë bartjen e gjësendeve të palejuara apo të rrezikshme në portat hyrëse.

FFK ka potencuar gjësendet që nuk lejohen të futen brenda stadiumit:

*Mjetet piroteknike
*Shishet e qelqit pavarësisht madhësisë
*Shishet e plastikës pavarësisht madhësisë
*Pijet alkoolike dhe substancat narkotike
*Ushqim i çfarëdo lloji (përveç ushqimit të fëmijëve 24 muajsh
*Çadra
*Armë zjarri ose armë të ftohta apo çfarëdo mjeti tjetër që mund të përdoret si armë
*Sende të rënda (çanta shpine, karrige të palosshme, etj).
*Kamera profesionale dhe video kamera
*Çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar

Ata të cilët nuk posedojnë bileta nuk do ta kenë mundësinë të ofrohen tek hyrja në portat ku bëhet kontrolli dhe leximi i biletave.

Tutje sipas FFK-së, veturat për qasje në parkingun zyrtar duhet të jenë të pajisura me parking PASS, në të kundërtën nuk do të lejojë parkimin në atë zonë (me përjashtim të veturave të FFK-së dhe personave të pajisur me biletën VIP).

Gjithashtu është bërë e ditur se gjatë ditës së nesërme nuk do të lejohet operimi me dron dhe FFK ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë këto rregulla në të kundërtën mund të jenë subjekt i ndëshkimit nga organet e rendit.