Ndërtesa e ish-Gjykatës në Vushtrri futet në Listën e Trashëgimisë Kulturore

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka futur në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje të përkohshme ndërtesën e ish-Gjykatës Komunale në Vushtrri. 

“Kjo ndërtesë me karakteristikat arkitekturale, historike, kulturore dhe shoqërore i takon grupit të objekteve me karakter publik-administrativ. Ish objekti i Gjykatës Komunale në Vushtrri, i përket stilit të arkitekturës moderne, të ndërtuar në vitin 1963. Ndërtesa është pjesë e kuadrit vizual të shumëllojshëm të qytetit që paraqet një ansambël unik në memorien e qytetarëve”, njofton MKRS-ja.

Sipas njoftimit,  objekti është futur nën mbrojtje duke pasur parasysh se ndërtesa ka pasur funksion publik, së bashku me Postën dhe Kinemanë e qytetit, ka qenë pjesë e përditshmërisë së banorëve dhe si e tillë ka definuar këtë hapësirë urbane duke diktuar vijat e ecjes dhe duke shërbyer edhe si pikë referuese. 

Muajve të fundit është riaktualizuar çështja e ish-objektit të Gjykatës në Vushtrri.

Kuvendi Komunal i Vushtrrisë kishte votuar që të rrëzohet objekti i Gjykatës së Vushtrrisë dhe aty të ndërtohet një shesh.

Ky vendim nuk ishte miratuar nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe Administrimit duke e rikthyer mbrapsht një vendim të tillë.

MAPL në fillim të muajit prill konstatoi se një vendim i tillë është në kundërshtim me legjislacionin duke kërkuar nga Komuna e Vushtrrisë që vendimi brenda një afati 30 ditor të kthehet në Kuvendin Komunal.

Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, përkundrazi Komuna e Vushtrrisë kishte hapur tender për rrënimin e objektit të ish-Gjykatës kështu duke nënshkruar edhe kontratën me kompaninë fituese.

Kjo ka ngjallur reagime të shumta në qytetin e Vushtrrisë dhe mospajtime të partive që janë të përfaqësuara në Kuvendin Komunal.

LVV nuk e kishte votuar në Kuvendin Komunal vendimin për rrëzimin e ish objektit të gjykatës në Vushtrri. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kishin qenë pro vendimit.

Në lidhje me synimet për rrënimin e ish-objektit të Gjykatës, KALLXO.com  kishte realizuar një debat, ku ishin të ftuar asamblistë nga PDK, LVV, Lëvizja për Bashkim dhe një arkitekt.

 

Pavarësisht ndaljes së punimeve, vendosen skele rreth objektit të ish Gjykatës në Vushtrri