Pavarësisht ndaljes së punimeve, vendosen skele rreth objektit të ish Gjykatës në Vushtrri

Në orët e para të mëngjesit dje në Vushtrri kishte filluar rrënimi i objektit të ish Gjykatës. Punimet ishin ndalur nga Policia e Kosovës pasi ishin njoftuar nga opozita dhe shoqëria civile se objekti tashmë është në vlerësim të Ministrisë së Kulturës.

Por, pavarësisht kësaj sot përreth objektit të ish Gjykatës në Vushtrri janë vendosur skele nga kompania që po i kryen punimet.

Menaxheri i kontratës për kryerjen e punimeve, Nexhat Merovci tha se ai nuk ka ndonjë vendim për ndalje të punimeve.

Merovci për KALLXO.com tha se do të vazhdojë punimet deri në vendimin e radhës.

“Ju njoftoj se unë në cilësin e menaxherit të kontratës nuk kam vendim për pezullim të punimeve as  nga Policia e Kosovës e as nga Kuvendi Komunal i Vushtrrisë. Unë duhet të vazhdoj punimet deri në një vendim të ardhshëm”, tha Merovci.

Gjatë ditës për këtë situatë janë deklaruar edhe nga Komuna e Vushtrrisë duke e quajtur ndërhyrje dhe ndikim politik reagimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila ndali rrënimin e objektit të ish-Gjykatës në këtë qytet.

“Komuna e Vushtrrisë kërkon nga MKRS që të bashkëpunoj me Komunën e Vushtrrisë, të veprojë me transparencë e mos veproj mbi baza të interesave partiake që tashmë janë publike, por të jetë në funksion të ruajtjes së trashëgimisë kulturore të Vushtrrisë, duke ndarë buxhet për këtë qëllim”, thuhet mes tjerash në reagimin e Komunës së Vushtrrisë.

 Objekti i ish Gjykatës në Vushtrri ‘luftë’ në mes Xhafer Tahirit dhe institucioneve qendrore

Kuvendi Komunal i Vushtrrisë kishte votuar pro rrënimit të ish objektit të Gjykatës por pa përkrahjen e opozitës.

Ky vendim nuk ishte miratuar nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe Administrimit duke e rikthyer mbrapsht një vendim të tillë.

MAPL në fillim të muajit prill konstatoi se një vendim i tillë është në kundërshtim me legjislacionin duke kërkuar nga Komuna e Vushtrrisë që vendimi brenda një afati 30 ditor të kthehet në Kuvendin Komunal.

Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, përkundrazi Komuna e Vushtrrisë kishte hapur tender për rrënimin e objektit të ish Gjykatës kështu duke nënshkruar edhe kontratën me kompaninë fituese.

E njejta gjatë ditës së diel kishte nisur punimet për rrënimin e objektit.

Rrënimi i objektit të ish Gjykatës po kundërshtohet nga asamblistë të Vetëvendosjes si dhe nga shoqëria civile.