Në kundërshtim me vendimin e MAPL-së, Komuna e Vushtrrisë nënshkruan kontratën për rrënimin e objektit të ish Gjykatës

Komuna e Vushtrrisë gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se ka nënshkruar kontratë për rrënimin e objektit të ish Gjykatës.

Në bazë të njoftimit, kontrata është nënshkruar në kompaninë “12 Vëllezërit”, në Mitrovicë, me pronar Jetish Berisha, kompani kjo e cila do të bëjë rrënimin e ish Gjykatës në Vushtrri.

Në njoftim thuhet se punimet për rrënimin objektit, do të fillojnë dy ditë pas nënshkrimit të kontratës, e cila është nënshkruar gjatë ditës së djeshme, ndërsa punimet duhet të kryhen për jo më gjatë se 10 ditë kalendarike që nga data e fillimit të punimeve.

Sipas njoftimit, çmimi total i punëve duhet të jetë 4 mijë e 552 euro e 72 cent.

KALLXO.com para disa ditëve ka raportuar për hapjen e tenderi për rrënimin e objekti të ish Gjykatës në Vushtrri.

Lëvizja Vetëvendosje në Vushtrri e kishte kundërshtuar rrënimin e këtij objekti.

Lidhur me rrënimin e ish objektit të Gjykatës në këtë komunë, emisioni “KALLXOPernime” me Jeta Xharrën, organizoi debatin rreth prapaskenave të rrënimit të këtij objekti, ku pati akuza e kundër akuza.

Asambleistja e Vetëvendosjes në Vushtrri, Gresa Muli, në debat kishte thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës u bënë bashkë që ta rrënojnë objektin e ish gjykatës. Sipas saj, më parë kishte vendim për dhënien e objektit në shfrytëzim për 40 vite.

“Në janar të 2019, neve na ka ardhë një propozim, që të njëjtën pronë të Gjykatës, bashkë me pronën ku gjendet edhe “Ura e Gurit” me dhanë në shfrytëzim për 99 vite. Atëherë kryetarit nuk i ka ra ndërmend që të bëjë vlerësimin e objektit, përkundrazi na ka sjellë që ta japim për 99 vjet në shfrytëzim. Është votuar atëherë. Në shkurt të 2019, e kemi bërë plotësim-ndryshimin e atij vendimi, që atë objekt ta japim në shfrytëzim për 40 vite”, kishte thënë Gresa Muli në KallxoPernime.

Asamblisti tjetër, këtë rast nga Partisë Demokratike të Kosovës, Ilmi Azemi, në debat kishte thënë se rrënimi ishte në plan-programin katër vjeçar të këtij subjekti për Vushtrrinë.

“PDK edhe në fushatën paraprake e kemi pas në programin qeverisës 4 vjeçar, që ta rrënojmë këtë objekt, posa të përfundojë ndërtimi i Gjykatës së re. Ne e kemi pasur edhe në programin tonë që të ndërtojmë shesh. Ky objekt nuk përshkruan kurrgjë për neve shqiptarëve, përkundrazi kemi vetëm të kaluar të hidhur nga kjo Gjykatë. Nuk na lidhë asgjë neve me këtë objekt”, citohet të ketë thënë Azemi.

Qëndrim ndryshe nga Azemi, kishte arkitektit Bledian Salihu, i cili qe i ftuar në emisionin “KallxoPernime”. Salihu në emision tregoi se përse ka kundërshtuar rrënimin e objektit të ish-Gjykatës Komunale në Vushtrri.

Ai tha se i ishte drejtuar edhe Komunës se nuk duhet ngutur që të rrënohet ky objekt.

Kundër vendimit të kreut të Komunës Xhafer Tahiri, është edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. MAPL nuk kishte aprovuar vendimin e komunës për rrënimin e ish objektit të Gjykatës komunale në Vushtrri.

MAPL në vendimin e saj thotë se një vendim i tillë është në kundërshtim me legjislacionin dhe kërkohet nga komuna ta rishqyrtojë.

“Ministria e Administrimi të Pushtetit Lokal, pas shqyrtimit të përmbajtjes së aktit më sipër, vlerëson se akti i komunës është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi. Ministria e Administrimit të Pushteti Lokal, kërkon nga komuna, që të rishqyrtojë këtë vendim”, thuhet në vendim.

Lidhur me vendimin e MAPL-së dhe afatin prej 30 ditësh që kishte komuna ta rishqyrtonte vendimin për rrënim, kreu i komunës Xhafer Tahiri në një përgjigje për KALLXO.com kishte thënë se nuk do ta kthej në Kuvendin Komunal vendimin për rrëzimin e objektit të ish Gjykatës.

Tahiri për KALLXO.com kishte paralajmëruar kallëzim penal për MAPL-në nëse nuk tërhiqet nga vendimi.

“Nëse MAPL dhe ministri nuk tërhiqen nga ky veprim, Komuna e Vushtrrisë do të përgatisë kallëzim penal kundër ministrit Elbert Krasniqi dhe zyrtarëve të tjerë që janë përfshi në këtë rast të ndikimit politik e të kundërligjshëm”, ka thënë Tahiri për KALLXO.com.

Tahiri kishte thënë se MAPL nuk ka kompetencë për vendimin që ka dhënë dhe thotë se ministria shkeli rregulloren 10/2019.

Por çfarë thotë Rregullorja 10/2019?

Rregullorja 10/2019 e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, në shtojcën ll të saj thotë se vendimet për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objekteve në pronën e komunës për nevojat e komunës apo institucioneve vartëse të komunës, nuk i nënshtrohen shqyrtimit të detyrueshëm apo të rregullt të ligjshmërisë.

Në anën tjetër ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi kishte thënë për KALLXO.com se ata kanë shqyrtuar vetëm anën teknike të vendimit, duke kërkuar ndarjen e vendimit fillestar të Kuvendit Komunal në dy vendime.

“Pas ndarjes së vendimit, ashtu siç është kërkuar, vendimi për rrënimin e objektit do të dërgohet në ministrinë sektoriale për vlerësim të ligjshmërisë, ndërsa vendimi për shfuqizimin e vendimit paraprak të datës 31.01.2019 lidhur me dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të Komunës, do të vlerësohet nga MAPL”, citohet të ketë thënë Krasniqi.

Ndërsa për paralajmërimi e kryetari Tahiri, ministri Krasniqi thotë se kjo ministri nuk i nënshtrohet presioneve.

“Departamenti ligjor i MAPL-së nuk i nënshtrohet asnjë lloj presioni nga jashtë. Këtë çështje do ta rregullojë gjykata kompetente nëse është e nevojshme”, ka thënë Krasniqi për KALLXO.com.

Ministri Krasniqi ka thënë se në rast se Komuna nuk përgjigjet brenda afati, atëherë autoriteti mbikëqyrës mund ta kundërshtoj atë në gjykatë.

“Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokal Nr. 03/L-040, nëse komuna nuk përgjigjet brenda afatit apo refuzon kërkesën, apo mbështetë vendimin apo aktin e kontestuar për territorin e komunës përkatëse, brenda 30 ditësh pas dështimit për t’ju përgjigjur njoftimit për refuzim apo mbështetë aktin apo vendimin e kontestuar, autoriteti mbikëqyrës mund ta kundërshtoj aktin në fjalë në gjykatën kompetente”, ka thënë Krasniqi për KALLXO.com.