MAPL ia kthen vendimin Xhafer Tahirit për rrëzimin e objektit të ish Gjykatës në Vushtrri

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk e ka aprovuar vendimin e Komunës së Vushtrrisë për rrëzimin e objektit të ish Gjykatës në këtë komunë.

Në vendimin e MAPL thuhet se një vendim i tillë është në kundërshtim me legjislacionin dhe kërkon nga komuna që të rishqyrtojë vendimin.

“Ministria e Administrimi të Pushtetit Lokal, pas shqyrtimit të përmbajtjes së aktit më sipër, vlerëson se akti i komunës është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi. Ministria e Administrimit të Pushteti Lokal, kërkon nga komuna, që të rishqyrtojë këtë vendim”, thuhet në vendim.

Lëvizja Vetëvendosje në Vushtrri e kishte kundërshtuar vendimin për rrëzimin e ish objektit të gjykatës.

Kuvendi Komunal i Vushtrrisë kishte votuar për rrëzimin e ish objektit të gjykatës, i cili ndodhet në qendër të qytetit.

Kjo ka ngjallur reagime të shumta në qytetin e Vushtrrisë dhe mospajtime të partive që janë të përfaqësuara në Kuvendin Komunal.

Lëvizja Vetëvendosje në Vushtrri e kishte kundërshtuar vendimin për rrëzimin e ish objektit të Gjykatës.

Asamblistja nga LVV, Gresa Muli në Debat Përnime të zhvilluar në lidhje me prapaskenat e vendimit për rrëzimin e objektit të ish gjykatës ka thënë se për këtë, nuk është zhvilluar asnjë procedurë.

“Për këtë vendim, nuk është zhvilluar asnjë procedurë. Nuk është bërë asnjë shpallje e interesit për qytetarë. Në tetor të 2020 na ka ardhë propozimi prej kryetarit që aty të ndërtohet sheshi “Ibrahim Rugova” dhe mendimi i kryetarit se ne si LVV po e kundërshtojmë atë për shkak të emrit. Kjo nuk qëndronte, sepse ne si Vetëvendosje insistonim që t’u jepet e drejta e qytetarëve për ta shprehur interesin”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Asamblisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë, Ilmi Azemi, në emisionin “Kallxo Pernime”, ka thënë  kjo ide kishte qenë edhe në planprogramin 4-vjeçar të PDK për Vushtrrinë.

“PDK edhe në fushatën paraprake e kemi pasë në programin qeverisës 4 vjeçar, që ta rrënojmë këtë objekt, posa të përfundojë ndërtimi i Gjykatës së re. Ne e kemi pasë edhe në programin tonë që të ndërtojmë shesh. Ky objekt nuk përshkruan kurrgjë për neve shqiptarëve, përkundrazi kemi vetëm të kaluar të hidhur nga kjo Gjykatë. Nuk na lidhë asgjë neve me këtë objekt. Është 1 metër prej rrugës objekti prej Gjykatës”, tha Ilmi Azemi në “Kallxo Pernime”.

Një vendim të tillë për rrëzimin e objektit të ish gjykatës në Vushtrri ka reaguar edhe arkitekti, Bledian Salihu.

Salihu ka theksuar se idea e rrëzimit të ish objektit të gjykatës është qasje e parcelave që janë prapa saj.

“Me rrënimin e këtij objekti bëhen të qasshme disa parcela që gjenden prapa Gjykatës. Idea e krejt kësaj ekziston ofrimi i qasshëm i parcelave që gjenden prapa. Parcelat prapa janë objekte të vjetra. Vushtrria e ka një listë të vetën të përkohshme të objekteve që janë bë gati me u rrënu për me ia fillu ndërtimet, jo më larg se 2-3 metra nga kalaja e qytetit”, tha Salihu.

Lëvizja Vetëvendosje në Vushtrri e kishte kundërshtuar në Kuvendin Komunal rrëzimin e objektit të ish gjykatës ndërsa PDK dhe LDK e kishin përkrahur atë.

Gresa Muli nga LVV dhe Bledian Salihu kanë reaguar pas refuzimit  të vendimit nga MAPL për rrëzimin e objektit të ish gjykatës në Vushtrri, duke e përshëndetur atë.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në Vushtrri e kishin përkrahur një vendim të tillë.

Kuvendi Komunal i Vushtrrisë kishte votuar që ta rrëzojë objektin e Gjykatës së Vushtrrisë dhe aty të ndërtohet një shesh.