Seanca e Kuvendit të Kosovës më 3 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Ndërpritet seanca e Kuvendit, vazhdon nesër

Kuvendi i Kosovës pritet që nesër të vazhdojë seancën nga ora 10:00 me pikat e rendit të ditës të cilat nuk janë shqyrtuar gjatë ditës së sotme.

Puna në Kuvend përfundoi pas votimit për propozimin e një gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Për shkak se nuk pati vota të mjaftueshme për të zgjedhur njërin nga dy kandidatët e fundit sa ishin, Vigan Qorrolli e Haxhi Xhemajli, konkursi do të përsëritet.

Në votim në Kuvend morën pjesë 94 deputetë, shtatë nga votat u vlerësuan të pavlefshme, Vigan Qorrolli mori 49 vota ndërsa Haxhi Xhemajli 38.

“Në bazë të raportit të komisionit, konstatoj se asnjëri kandidat nuk i mori votat për tu propozuar si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese prandaj përsëritet konkursi Kërkohet nga komisioni përkatës që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për publikimin e thirrjes për një kandidat për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në pajtim me kushtet e parapara me ligj”, tha nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Gjithashtu gjatë ditës së sotme u diskutua edhe për organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19 ndërsa nesër nga ora 10 parashihen këto dy pika të rendit të ditës:

Propozim-vendimet për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare, si dhe interpelancë me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen: “Falja e gjobave bizneseve të prekura nga situata me COVID-19”.