Foto-ilustrim

Ndalohet për 48 orë shoferi për aksidentin e mbrëmshëm në Gjilan

Prokuroria e Gjilanit ka njoftuar se ka ndaluar të dyshuarin O.K., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës ‘Rrezikim i trafikut publik’.

Personi i ndaluar dyshohet se natën e mbrëmshme ka shkaktuar vetaksident, duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, ka humbur kontrollin e automjetit, ku më pas ka goditur një shtyllë elektrike.

Në këtë aksident, si pasojë e goditjes është lënduar rëndë pasagjeri që ka qenë në veturë, i cili fillimisht ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Gjilanit.

Pas ndihmës së parë që ka marrë, i lënduari është transferuar për në QKUK në Prishtinë, ku gjatë transportit në fshatin Bresalc autoambulanca është aksidentuar. Si pasojë e lëndimeve të marra në këtë aksident, A.Sh., ka ndërruar jetë në QKUK në Prishtinë rreth orës 23:00.

“Në rastin e parë, ndaj drejtuesit që shkaktoi vetaksident në Gjilan, prokurori i rastit, brenda afatit ligjor do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale, në Gjykatën kompetente në Gjilan, ndërsa rasti i dytë, në të cilin drejtuesi i autoambulancës shkaktoi vetaksident është duke u hetuar dhe është referuar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Vdes pacienti i cili po transferohej në QKUK pas aksidentimit të autoambulancës