Ndalimi nga drejtësia i Agim Ademit, FFK ka vendosur të informojë UEFA-n dhe FIFA-n

Komiteti ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK)  ka mbajtur sot mbledhjen tjetër urgjente nën drejtimin e nënkryetarit Bakir Burri, pas zhvillimeve të javës së kaluar në lidhje me kryetarin Agim Ademi dhe shqetësimet e krijuara në hotelin ku është i akomoduar ekipi kombëtar.

Këtë e ka bërë të ditur Komiteti ekzekutiv i FFK-së përmes një njoftimi.

Sipas Komitetit, në mbledhjet e kaluara, për shkak të mungesës së informacioneve zyrtare se çfarë po ndodh, nuk ka mundur të ndërmarrë asnjë veprim.

Por, tani kur është informuar nga deklaratat publike nga Policia dhe Prokuroria lidhur me rastin si dhe informatat e marra, shpreh gatishmërinë dhe vullnetin që këto çështje, përveç në organet e hetuesisë, konform statutit dhe akteve normative t’i adresojë edhe në Komisionin Disiplinor dhe të Etikës të FFK-së, në mënyrë që çdo parregullsi apo shkelje potenciale, që mund të ketë ndodhur, të trajtohet me kujdesin dhe seriozitetin më të madh si dhe ka kërkuar që ky komision të marrë verdiktin bazuar në aktet normative.

“KE shpreh shqetësimin në lidhje me të gjitha veprimet që kanë ndodhur me datë 21 mars, në zyret e FFK-së dhe ndaj stafit të Kombëtares në hotelin ku është i akomoduar, nga disa policë civilë, të cilët kanë ndërhyrë pa u prezantuar fare dhe pa asnjë dokumentacion, gjë e cila dëshmohet edhe në komunikatën e policisë, sepse nuk ka pasur asnjë shkresë zyrtare deri më datën 22 mars 2023. Këto veprime pa bazë ligjore, KE do t’i adresojë pranë organeve përkatëse të Kosovës” – është thënë në njoftim.

Gjithashtu, KE i FFK-së ka treguar se ka vendosur që t’i informojë UEFA-n dhe FIFA-n dhe t’ua paraqesë një raport të detajuar mbi zhvillimet e fundit dhe njëherësh t’i mbajë të informuar në vazhdimësi.

“KE edhe një herë rithekson gatishmërinë për të bashkëpunuar me çdo institucion të Kosovës, të UEFA-s dhe FIFA-s për adresimin e të gjitha çështjeve dhe parregullsive potenciale, të cilat kanë mundur të ndodhin, si pranë organeve të saj përkatëse, po ashtu edhe atyre shtetërore. KE i siguron të gjithë se çdo boshëllëk eventual do të plotësohet konform dispozitave të statutit në fuqi” – ka theksuar KE i FFK-së gjersa ka shprehur indinjatën lidhur me veprimet që kanë ndodhur në ambientet ku ishte kombëtarja e Kosovës.

“Njëherësh, KE shpreh indinjatën në lidhje me veprimet dhe shqetësimet që kanë ndodhur në ambientet ku ishte Kombëtarja e Kosovës dhe në selinë e FFK-së, e që sipas bindjes së KE të FFK-së, një pjesë e tyre kanë qenë pa bazë ligjore dhe kanë fyer dinjitetin e ekipit dhe stafit të Kombëtares” – ka shtuar KE.

Në njoftim është thënë se shpresojnë se në ditët në vijim të gjitha këto shqetësime të sqarohen dhe organet kompetente të vendosin konform rregullave dhe procedurave dhe të ndihmojnë kombëtaren e Kosovës dhe FFK-në në përfaqësimin e saj dinjitoz në arenën ndërkombëtare.

Gjykata e Prishtinës i ka caktuar Agim Ademit masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.

Ndërkaq më 22 mars Agim Ademi u ndalua nga organet e drejtësisë për 48 orë.

Prokuroria e Prishtinës kishte njoftuar se Ademi po dyshohet se ka kryer dy vepra penale – keqpërdorimi i besimit, dhe – shmangie nga tatimi.