“Ndal femicidit”, protestë në Tiranë për vrasjen e Liridona Ademajt

Dhjetëra qytetarë në Tiranë kanë dalë këtë të diel në protestë, me thirrje kundër vrasjeve të vajzave dhe grave.

“Ndal femicidit”, “denonco dhunën”, “drejtësi për Liridonën’, janë disa nga pankartat që të rinjtë mbajnë në duar, bashkë me foton e Liridona Ademaj Murselit, gruas që u vra nga bashkëshorti, me një skenar si në filma.

Ata kanë marshuar nga Ministria e Brendshme drejt ambasadës së Kosovës në Tiranë.

Liridona Murseli, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave të dyshuar: dorasin G. P. dhe Naim Murselin, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.

Më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se i dyshuar i tretë në këtë rast është edhe K.K., pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarve të tjerë, për vrasjen e Liridona Ademajt.

Në arsyetimin për kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, Gjykata ka thënë se Liridona Ademaj dyshohet se është qëlluar me plumb në qafë nga afërsia, nga i dyshuari G.P./TopChannel/.

Një muaj paraburgim për tre të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademaj-Murselit