Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

NATO reagon pas njohjes së pavarësisë së Donetskut dhe Luhanskut nga Rusia

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se dënon vendimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për të njohur pavarësinë e Donetskut dhe Luhanskut, të cilat kontrollohen pjesërisht nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Stoltenberg ka thënë se një veprim i tillë shkel marrëveshjet e Minskut, duke kërkuar nga Moska të ndalojë veprime të tilla.

“Unë dënoj njohjen nga Rusia të Donetskut dhe Luhanskut në Ukrainë. Ajo gërryen përpjekjet për të zgjidhur konfliktin dhe shkel marrëveshjet e Minskut. NATO mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ne i bëjmë thirrje Moskës të ndalojë nxitjen e konfliktit dhe të zgjedhë diplomacinë”, ka shkruar ai në Twitter.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar të hënën dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, të cilat kontrollohen pjesërisht nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Rreth vendimit për të njohur këto rajone është informuar lideri francez, Emmanuel Macron dhe ai gjerman, Olaf Scholz, është thënë në deklaratën e Kremlinit.

Putin e ka nisur fjalimin e tij para kombit duke diskutuar për historinë dhe duke thënë se Ukraina moderne është “krijuar” nga Rusia.

Putin njeh pavarësinë e rajoneve në lindje të Ukrainës