Nasim Haradinajt i jepet paralajmërimi i fundit nga Specialja

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trëndafilova, më 13.06.2024, e ka paralajmëruar për herë të fundit Nasim Haradinajn, që t’iu përmbahet kushteve të përcaktuara në vendimin mbi modifikimin e dënimit.

Sipas komunikatës së Dhomave të Specializuara, ky institucion ka marr raporte të shumta me të cilat Trëndafilova është informuar për kontaktet dhe intervistat e Haradinajt në media gjatë muajve të fundit.

Haradinaj, sipas Dhomave të Specializuara, nuk ka kërkuar paraprakisht leje për to, ashtu siç përcaktohet në vendim.

Në komunikatë thuhet se Haradinajt i është rikujtuar në fillim të vitit për pasojat e shkeljes së kushteve të vendimit.

“Kryetarja shpjegoi se megjithëse Vendimi mund të revokohet ose modifikohet menjëherë mbi bazën e shkeljeve, ajo vendosi që zotit Haradinaj t’i jepte edhe një paralajmërim të fundit” – thuhet mes tjerash në komunikatë.

Çdo shkelje tjetër, thuhet se do të rezultoj me kthimin e Haradinajt në objektin e paraburgimit për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Paralajmërimi i Trëndafilovës për Haradinajn mund të qaset këtu.

Vendimi për modifikimin e dënimit të Haradinajt mund të qaset këtu.

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Nasim Haradinaj më 14 dhjetor është liruar me vendim të Gjykatës Speciale.

Nasim Haradinaj bashkë me Hysni Gucatin ishin arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë.

Krerët e OVL-UÇK-së, më 18 maj 2022, u dënuan me nga 4 vjet e tre muaj burgim dhe 100 euro gjobë.

Ata u gjetën fajtor se mes datave 7 dhe 25 shtator 2020, shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike lidhur me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.