Nagavci për vendimin në Kamenicë: Sikur të kishte ndodhur rasti në Prishtinë, nuk do të pritej kaq gjatë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në seancën e Kuvendit të Kosovës ka folur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e shpalli jo-kushtetues vendimin e saj në lidhje me organzimin e mësimit alternativ shtesë në Komunën e Kamenicës.

Nagavci tha se ka qenë e detyruar që ta marrë këtë vendim pasi sipas saj, si e ka marrë mandatin si ministre, ka pranuar shumë ankesa nga prindërit e Kamenicës.

“Në momentin që kam pranuar detyrën e ministrisë së Arsimit jam ballafaquar me kërkesa të shumta të prindërve në Kamenicë që kanë kërkuar nga unë që t’i mundësojë që të realizojnë të drejtën e tyre për shkollim. Si ministre e Arsimit nuk kam mundur të jem symbyllur ndaj faktit se pa marrë parasysh se ata jetonin në Kamenicë nuk kanë vijuar mësimin”, tha Nagavci.

Ajo tha se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese  ka vlerësuar vetëm kushtetutshmërinë e vendimit të MAShTI-t, “me parimet e vetëqeverisjes lokale që është një vlerësim i  natyrës formale”.

“Ndërkohë që Gjykata Kushtetues nuk e ka vlerësuar përputhshmërinë e vendimit me të drejtën për arsim. Si ministri nuk mund të marrim për bazë që të mos veprojmë si institucion për të ju mundësuar të drejtën për shkollim”, tha ajo.

Ajo tha se nëse kjo situatë të kishte ndodhur në ndonjë komunë më të madhe të Kosovës apo në Prishtinë, s’do të zgjatej kaq shumë për vendim për mësim plotësues.

“Jam e bindur që sikur kjo të kishte ndodhë në Komunën e Prishtinës në ndonjë komunë më të mëdhe të Kosovës, sikur të ishin në pyetjet fëmijët tanë nuk do të ishte pritur një kohë aq e gjatë dhe të ndërroheshin tre ministra para se të merrej një vendim për ofrimin e të drejtës për arsim”, tha ajo, duke mos i’u përgjigjur kërkesës së deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj se ajo duhet të shkarkohet nga detyra.

Gjykata Kushtetuese më 8 prill, e ka shpallur jo-kushtetues vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.

Në vendimin e Kushtetueses thuhet se MAShTI-i përmes vendimit ‘ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore’.