Selmanaj: Të shkarkohet menjëherë ministrja Nagavci

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka kërkuar shkarkimin e ministres së arsimit, Arbërie Nagavci pasi sipas tij, ajo ka shkelur Kushtetutën e Kosovës.

“Ne ju bëjmë thirrje jo vetëm si akt moral, por si shkelës të Kushtetutës të shkarkohet menjëherë ministrja Nagavci”, ka thënë Selmanaj.

“MAShTI i ka dërgu letër Gjykatës Kushtetuese ku kërkon prova për të kuptuar se si ka ardhë ky vendim i Gjykatës Kushtetuese. E pa besueshme veç për ta menduar. As vendet që lidhje me demokraci nuk i bëjnë këto. Kjo është skandaloze”, ka shtuar ai.


Tutje Selmanaj i ka rikujtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti një deklaratë të cilën ai e kishte bërë në vitin 2015 kur kryeministër i Kosovës kishte qenë Isa Mustafa.

“Po i referohem një deklarate të kryeministrit Kurti që e kishte dhënë më 2015 ‘Kush e shkel ligjin është kriminel, po kush e shkel Kushtetutën është super kriminel. Ka thënë që nuk ka kriminel më të madh nëpër burgjet e Ksoovës se sa kryeministri [Isa Mustafa] që e ka shleë Kushtetutën, a janë këto fjalët e tua kryeministër?A vazhdon mendu njëjtë?”, ka deklaruar Selmanaj.

Valdrin Dervishaj, këshilltar ligjor i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e shpalli jo-kushtetues vendimin e Nagavcit për mësim alternativ të përshpejtuar për 441 nxënës në komunën e Kamenicës, ka kërkuar qasje në dokumente publike për disa prova tek Gjykata Kushtetuese.

Dervishaj ka njoftuar se këtë kërkesë e ka bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.

Ai ka bërë kërkesë për provat të cilat dëshmojnë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka organizuar mësim alternativ të përshpejtuar si dhe disa çështje të tjera.

Gjykata Kushtetuese më 8 prill, e ka shpallur jo-kushtetues vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.

Në vendimin e Kushtetueses thuhet se MAShTI-i përmes vendimit ‘ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore’.

MAShTI nuk bindet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kërkon qasje në disa prova