Foto Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nagavci: Dështimet në sistemin arsimor po ndikojnë në të ardhmen fëmijëve tanë

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, duke iu referuar raportit të fundit të publikuar nga Banka Botërore ka thënë se vëmendja duhet të kthehet urgjentisht nga arsimi pasi shifrat janë alarmante.

Sipas raportit të sapopublikuar të Bankës Botërore një nxënës kosovar ka 5.3 vite të shkollimit të humbura.

Një fëmijë i lindur në Kosovë sot, sipas raportit më të ri të Indeksit të Kapitalit Njerëzor, të përpiluar nga Banka Botërore me të dhëna para pandemisë, do të arrijë vetëm 57 për qind të produktivitetit të një të rrituri me arsim dhe shëndet të plotë.

“Dështimet në sistemin arsimor po ndikojnë në të ardhmen fëmijëve tanë dhe të gjithë shoqërisë sonë”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Nagavci ka thënë se sipas raportit që analizon arsimin dhe shëndetësinë në 174 shtete, Kosova duhet të bëjë më shumë për zhvillimin e kapitalit njerëzor.

“Në Kosovë, një fëmijë që e fillon shkollën në moshën 4 vjeç, mund të presë që të kryejë 13.2 vite shkollim deri në moshën 18-vjeçare. Megjithatë, kur llogaritet mësimnxënia reale e fëmijëve, vitet e pritshme të shkollimit janë vetëm 7.9, pra ka një hendek të mësimnxënies prej 5.3 vitesh. Në testet e harmonizuara, nxënësit në Kosovë marrin 374 pikë në një shkallë ku 625 paraqet arritje të përparuar dhe 300 paraqet arritjen minimale”, ka theksuar ajo.