Foto: KALLXO.com

Banka Botërore: Një fëmijë i lindur në Kosovë është vetëm 57 për qind produktiv kur të rritet

Sipas përditësimit më të fundit të Indeksit të Kapitalit Njerëzor (IKNj), i përpiluar nga Banka Botërore për të matur rezultatet e kapitalit njerëzor në mbarë botën para pandemisë, të rinjve në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore po u sigurohen mundësitë e nevojshme për t’u bërë persona të rritur produktivë, falë investimeve të vazhdueshme në shëndetësi dhe për arsimimin gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës së tyre.

Sipas raportit, një fëmijë i lindur në Kosovë sot mund të arrijë 57 për qind të produktivitetit të një të rrituri me arsim dhe shëndet të plotë, që është një rezultat më i ulët se mesatarja për rajonin e Evropës dhe Qendror, por pak më i lartë se mesatarja për vendet që Banka Botërore i rendit në grupin e vendeve me të hyra të mesme të larta, ku ndodhet Kosova.

Në  anën tjetër, në raportin e fundit të Bankës Botërore nxënësit kosovarë të cilët shkollohen humbasin 5.3 vite shkollim derisa arrijnë moshën 18 vjeçare.

Sipas raportit, nga 13.2 vite shkollim, 7.9 vite janë efektive ndërsa pjesa tjetër e shkollimit humbet, duke e llogaritur këtë me kohën kur nxënësit kosovarë nisin shkollimin që nga mosha 4 vjeçare.

Në Kosovë, një fëmijë që e fillon shkollën në moshën 4 vjeç, mund të presë që të kryejë 13.2 vite shkollim deri në ditëlindjen e vet të 18-të. Megjithatë, kur llogaritet mësimnxënia reale e fëmijëve, vitet e pritshme të shkollimit janë vetëm 7.9, pra ka një hendek të mësimnxënies prej 5.3 vitesh. Në testet e harmonizuara, nxënësit në Kosovë marrin 374 pikë në një shkallë ku 625 paraqet arritje të përparuara dhe 300 paraqet arritjen minimale.