Arkiv

Mustafa: Osmani është ushtruese e detyrës së presidentes e papërgjegjshme

Kryetari i Lidhjes Demoratike të Kosovës, Isa Musatafa ka reaguar pas adresimit të ushtrueses së detyrës së presidentes së vendit, Vjosa Osmani në lidhje me ngjarjet e mbrëmshme brenda mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas Mustafës, Osmani është një ushtruese krejtësisht e papërgjegjshme.

“Adresimi i sontëm i znj Vjosa Osmani për KQZ-në, flet se ajo është një ushtruese krejtësisht e papërgjegjshme e rolit që ushtron. Nga ushtruesja e detyrës së Presidentes është pritur të mbrojë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, të mbrojë implementimin e ligjit dhe të mbrojë institucionet e pavarura.Ajo në petkun e ushtrueses së detyrës së Presidentes po abuzon përmes sjelljeve rebele dhe për interesa të saje të reja partiake në VV”, thuhet në postimin e Mustafës.

Ai tutje ka shtuar se është e palejueshme dhe e turpshme që ushtruese e detyrës së presidentes së vendit t’iu kërcënohet institucioneve të pavarura.

“Kjo çfarë paralajmëron ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës sot dhe sjellja e Vetëvendosjes është alarm për demokracinë dhe shtetin e Kosovës. Me këtë sjellje, ajo nuk meriton as një orë të jetë në Presidencë”, ka thënë Mustafa.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së vendit, Vjosa Osmani sot i është adresuar qytetarëve në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme në mbledhjen e Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve, për të cilën ngjarje ka thënë se është e papranueshme.

“Ajo çfarë kemi parë në mbledhjen e KQZ-së,ka qenë e pahijshme dhe e pa pranueshme për një institucion që duhet me doemos që të ruajë integritetin e tij. Para syve të të gjtihë qytetarëve në transmetim të drejtpërdrejt u bë presion marramendës ndaj Zyrës për çertifikimin e partive politike, si dhe u ushtrua presion ndaj udhëheqsit të kësaj zyre. Kjo zyrë vepron e pavarur politikisht dhe rekomandimet e së cilës i drejtohen KQZ për vendime kolegjiale”, ka thënë Osmani.

Ajo tutje ka folur edhe ndaj kërcënimeve të kryetares së KQZ-së, Valdete Daka.

“Kryetarja e KQZ-së nuk përfaqëson asnjë parti politike, por emërohet për të mbrojtur paanshmërinë dhe ndërshmërinë e këtij procesi, detyrë e saj është mbrojtja e integritetit zgjedhor”, ka thënë Omsani.

Sipas Osmanit, ajo që ka ndodhur dje e ka lënduar procesin zgjedhor dhe integritetin e KQZ-së, por ajo ka thënë se e kanë për detyrë që procesi i zgjedhjeve të shpëtohet.

“Kam kërkuar të ruajnë maturinë dhe qetësinë me qëllim që të mbrojmë integritetin e procesit zgjedhorë. Po punoj me të gjtihë partnerët për të siguruar që të kemi prezencën dhe vëzhgimin e tyre. Në rast se ballafaqohemi me situta si ajo e djeshme, do të detyrohem që të ndërmarr të gjitha masat për mbrojtjen e integriteti të KQZ-së”, ka thënë Osmani.

Osmani ka shtuar se mbajtja e zgjedhjeve është parakusht për funksionimin e një vendi prandaj këtë test duhet ta kalojmë me besim e maturi.

Vjosa Osmani deklarohet rreth ngjarjeve të djeshme në KQZ