Albin Kurti dhe Isa Mustafa Foto: Haki Abazi FB

Mustafa ia jep edhe një shans Kurtit për ta hequr tarifën e ta rikthejë Veliun

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe protestat e qytetarëve përmes ballkoneve, kundër rënies së Qeverisë në krye me Albin Kurtin.

Duke publikuar dy komunikimet e fundit zyrtare me Kurtin, ai ka thënë se pret edhe sot që kryeministri Kurti ta heq tarifën dhe ta anulojë vendimin për shkarkimin e Agim Veliut nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, dhe të kërkojë falje.

“Edhe sot përulem para popullit tim dhe kërkoj mirëkuptim nga partia ime. Pres edhe sot që zoti Kurti ta heq tarifën, ta anulojë vendimin për shkarkimin e z. Veliu. Që atij dhe LDK-së t’i kërkojë falje për veprimet e tij dhe të atyre me të cilët ka bashkëpunuar në këtë akt të ulët. Të na japë mundësinë të jemi bashkë në këtë betejë”, thuhet në shkrimin e tij në Facebook.

Mustafa mes tjerash ka thënë se është i brengosur për qytetarët e Kosovës, një ditë pasi në Prishtinë u protestua nga ballkonet për krizën politikë në vend.

“Unë nuk jam i ri të ndikohem nga të tjerët e as avanturier. Jam shumë i brengosur për njerëzit tanë, qytetarët e këtij vendi. Dua që unë dhe partia ime të japë çdo gjë dhe ta fitojmë betejën ndaj këtij virusi. Dua që të bashkëpunojmë me partnerët tanë strategjik dhe të mos e humbim përkrahjen e tyre”, thuhet mes tjerash në publikimin e Mustafës.

Përderisa Kosova po përballet me pandeminë botërore të virusit Covid–19, vendi tashmë ka hyrë në një krizë politike që shpërtheu me paralajmërimin për rrëzimin e qeverisë përmes një mocioni të mosbesimit nga partneri qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shkarkimi i Agim Veliut – njëri prej zyrtarëve më me ndikim në LDK, nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, nga ana e kryeministrit Albin Kurti, pasoi me vendimin e Kryesisë së LDK-së që të mos qëndrojë më në qeverisje me LVV-në.

Më poshtë e gjeni të plotë statusin e Isa Mustafës në Facebook:

Të nderuar qytetarë

Të nderuar partnerë të koalicionit qeverisës

Po e bëj publike adresimin që ia kam bërë Kryeministrit Kurti, më 16 mars të këtij viti. Katër ditë pasi që në zyrën e tij, së bashku me z. Vjosa Osmani, Kryeparlamentare dhe z. Avdullah Hoti, zv. Kryeministër ia bëmë me dije se mosëheqja e tarifës dhe ashpërsimi i marrëdhenieve me SHBA-të do ta sjellë në pikëpyetje koalicionin tonë. Në vijim adresimi:

“I nderuari Kryeministër, Kurti

Si partner i koalicionit, unë dhe drejtuesit tjerë të LDK-së ndajmë bindjen se nuk duhet të rrezikojmë partneritetin me SHBA-të. Se duhet ta heqim tarfën dhe Qeveria ta merr përgjegjësinë që i takon në dialog. LDK ka mbështetur Rezolutën në Kuvend për dialogun dhe nuk do të mbështes në asnjë rast një marrëveshje që prek kufijtë dhe organizimin e brendshëm.

Ne nuk mund të rrezikojmë partneritetin me SHBA-të, për shkak të tarifës.

Prezenca e fuqishme e SHBA-së në Kosovë është jetike për vendin tonë.

Kemi probleme të mëdha me virusin Covid-19. Këtë betejë duhet ta fitojmë bashkërisht.

Nuk e kemi bërë koalicionin për ta prishur, por për të bërë ndryshime.

Prandaj të lutem për mirëkuptim që tarifa të hiqet gjatë kësaj jave. Mos e kupto këtë si kërkesë të njëanshme por si interes të përbashkët.

Nese vazhdohet kështu, posa ta kapërcejmë këtë situatë emergjente me Virusin, si LDK do të detyrohemi të dalim nga koalicioni, sepse nuk duam të jemi bashkëpërgjegjës të prishjes së marrëdhënieve me aleatin tonë kryesor.

Për këtë do ta njoftoj edhe Ambasadorin Grenell.”

Me respekt,

Isa Mustafa

Përgjigjen që e mora nga Kryeministri Kurti, më 18 mars ishte shkarkimi në kundërshtim me Marrëveshjen për koalicion, të nënkryetarit të parë të LDK-së, z. Agim Veliu nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe shpallja e tij, hiq më pak se, tradhtar në adresimin e tij qytetarëve në mbrëmjen e asaj ditë.

Pyes, juve qytetarë të nderuar, edhe disa nga juve perfaqësues të korit diplomatik, por edhe dy tre deputetë të LDK-së: A është ky veprim i drejtë i Kryeministrit tonë?

A flet ky veprim se Kryeministri Kurti është i përkushtuar ta ruaj koalicionin dhe ta luftojmë bashkërisht Virusin Corona?

Ju pyes, çfarë vendimi tjetër do të duhej të merrte LDK, kur kaq keq injorohet dhe poshtrohet nga Kryeministri i vendit?

Unë nuk jam i ri të ndikohem nga të tjerët e as avanturier. Jam shumë i brengosur për njerëzit tanë, qytetarët e këtij vendi. Dua që unë dhe partia ime të japë çdo gjë dhe ta fitojmë betejën ndaj këtij virusi. Dua që të bashkëpunojmë me partnerët tanë strategjik dhe të mos e humbim përkrahjen e tyre.

Edhe sot përulem para popullit tim dhe kërkoj mirëkuptim nga partia ime. Pres edhe sot që zoti Kurti ta heq tarifë, ta anulojë vendimin për shkarkimin e z. Veliu. Që atij dhe LDK-së ti kërkoj falje për veprimet e tij dhe të atyre me të cilët ka bashkëpunuar në këtë akt të ulët.

Të na japë mundësinë të jemi bashkë në këtë betejë. IM