Foto: ZKM

Mustafa: Avdullah Hoti do të bashkëpunojë me LVV-në, nuk zhvillojmë politikë të inateve

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë që kandidati i tyre për kryeministër, Avdullah Hoti do të bashkëpunojë me LVV-në dhe nuk do të mbajë inate.

“Nuk e kemi bërë atë si kundërpërgjigje përgjigje ndaj LVV-së, por si kandidatin tonë që kemi pasur besim që në mënyrën më të mirë e ushtron atë detyrë. Në vitin 2017 e kemi propozuar për kryeministër, atëherë nuk kemi pas asnjë relacion, unë jam i bindur që Z. Hoti do të bashkëpunoj me LVV-në, ne nuk do të zhvillojmë politik të inateve, mërisë ose të mospajtimeve sepse kemi nevojë që do të kemi relacione të mirë”, tha ai.

Mustafa u shpreh i bindur që qeveria e re do të jetë legjitime, përderisa theksoi se askush nuk do të largohet me dhunë nga ndërtesa e qeverisë.

“As nuk do të hymë më dhunë në ndërtesën e qeverisë, as nuk do ta nxjerrim dikë me dhunë nga ndërtesa e qeverisë, këto janë veprime demokratike dhe në mënyrë demokratike do të zgjidhet qeveria në Kuvend, çdo njëri prej nesh do ta respektoj Kushtetutën”, tha ai.

Avdullah Hoti sot pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së është propozuar kandidat për kryeministër në kuadër të një qeverie me AAK, AKR, Nisma dhe pakicat.

Hoti ishte shkarkuar nga Kurti më 25 mars, pikërisht atë ditë kur LDK-ja inicio mocionin e mosbesimit në Kuvend për shkarkimin e qeverisë Kurti.