Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Mustafa: Arrestimet nuk mjaftojnë, duhen hetime të thella të aktiviteteve të zyrtarëve të LVV-së

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka reaguar pas aksionit të cilin policia e ka zhvilluar në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) mëngjesin e ditës së sotme.

Mustafa ka bërë publike një listë të emrave të cilët sipas tij duhet të hetohen.

“Arrestimet nuk mjaftojnë. Duhen hetime të thella të aktiviteteve dhe lidhjeve kriminale të zyrtarëve më të lartë të VV-së, të cilët kjo parti i mbron publikisht! Shihet qartazi që nuk është çështje individësh por është sistematike” – ka shkruar ai.

Emrat të cilët Mustafa i ka përmendur janë si në vijim:

– Rozeta Hajdari miliona euro për grurë e vaj që s’ka ardhë kurrë.

– Mimoza Kusari shefe e grupit parlamentar koordinim me terroristin serb.

– Martin Berishaj pranon miliona euro nga Beogradi për tregti me energji.

– Nagip Krasniqi arrestohet për tendera dhjetëra milionë euro në KEK.

– Faruk Mujka ish-nënkryetar i Mitrovicës arrestohet dhe i gjinden 60.000 euro cash në shtëpi.

– Hysen Muzliukaj ish-drejtor në Mitrovicë dhe këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë i arrestuar për keqpërdorim të detyrës.

– Liridon Fandaj asambleist në Suharekë i arrestuar për vjedhje të subvencioneve të bujqësisë.

– Besnik Mujeci asambleist në Prishtinë i arrestuar për trafikim droge.

– Berat Lahu asambleist në Prishtinë i përfshirë në rastin Brezovica.

“Çdo i treti ministër nën hetime” – ka thënë ai.

Mëngjesin e sotëm Policia e Kosovës ka bërë disa bastisje në lokacione të ndryshme.

Në pranga ka përfunduar Ridvan Muharremi dhe dy zyrtarë në MINT.

Muharremit i është bastisur banesa dhe një pronë tjetër e tij, për më shumë se dy orë nga Policia e Kosovës.

Po ashtu, pak më parë janë arrestuar edhe dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), nën dyshimet e njëjta për keqpërdorim të rezervave shtetërore.

Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica dëgjohen në disa audio-incizime të siguruara nga mediumi “Nacionale” duke thënë se vaji i paguar nga shteti i Kosovës nuk ka ardhur nga Polonia në Kosovë edhe pse për atë sasi shteti kishte paguar.

Arrestohet Ridvan Muharremi, i dyshuar për aferën me rezerva shtetërore