Musliu: BE-ja nuk është garantuese në dialogun Kosovë-Serbi

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet rreth dialogut që po zhvillohet mes Kosovës e Serbisë.

Vjosa Musliu, asistente profesor e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Lirë të Brukselit, tha se Bashkimi Evropian nuk është garantues në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në rast se do të kishte qenë në mënyrë eksplicite garantuese atëherë i takon BE-së që pavarësisht ndarjeve që i ka brenda dhe asaj pesëshes mosnjohëse, të garantojë që kjo marrëveshje të finalizohet. BE-ja nuk është garantuese në këtë proces, zyrtarisht jo” – ka thënë Musliu.

Ajo ka thënë se kjo qasje e BE-së ka qenë e qartë që nga fillimi, duke shtuar që pala kosovare duhet t’i bëjë presion BE-së që të japë garanci për këtë proces.

“BE-ja nuk është detyrimisht garantuese, ajo çka do të duhej me ndodhë sidomos me palën kosovare sepse kemi parë disa indicie pozitive të kësaj Qeverie, të këtij grupi negociatorësh, duhet me pasë parasysh që pala kosovare nuk është duke negociu vetëm me Serbinë, por ne po negociojmë në mënyrë të drejtpërdrejt edhe me BE-në, nuk mundemi me e nda që në Bruksel po diskutojmë vetëm me Serbinë, por me i bo presion ndoshta me i kërku garanci për një proces në të cilin BE-ja është përfshirë” – ka thënë tutje Musliu.

Ndryshe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi të martën u takua me shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në Bruksel dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Pas këtij takimi, Bislimi ka thënë se palët janë pajtur që takimi i radhës në nivelin e lartë të zhvillohet në fund të prillit por që ende nuk është caktuar një datë e saktë.

https://kallxo.com/lajm/petkoviq-pas-takimit-ne-bruksel-jemi-pajtuar-per-tekstin-e-deklarates-per-personat-e-pagjetur/