Murtezaj: ATK ka mbledhur mbi 355 milionë euro të hyra për gjashtë muaj

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, në një konferencë për media, ka prezantuar rezultatet e aktiviteteve të zhvilluara për periudhën janar-qershor 2022.

Murtezaj tha se gjatë periudhës gjashtë mujore janë mbledhur mbi 355 milionë euro të hyra tatimore.

“Faktorët që kanë ndikuar në rritjen e të hyrave sipas tij janë fuqizimi i kontrollit të brendshëm, rritja e efikasitetit në mbledhjen e borxheve, digjitalizimi i shërbimeve ndaj tatim paguesve, shërbimet profesionale, rritja e transparencës, rritja e bashkëpunimit me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, zbatimi i rekomandimeve nga organizatat ndërkombëtare”, ka thënë drejtori Murtezaj.

 

 

Murtezaj tha se nga raporti i fundit i UNDP në matjen e pulsit publik del se ka pasur ulje të theksuar të kënaqshmërisë së publikut ndaj ATK-së.

“Kjo na bën të vazhdojmë punën në drejtim të përforcimit dhe mekanizmave të brendshëm. Sfidat e identifikuara sipas tij janë finalizimi dhe implementimi i projektit të IT, zvogëlimi i stokut të borxheve, përmirësimi i regjistrit të tatimpaguesve, menaxhimi i përmbushjes së deklarimit tatimor – mosdeklaruesit, reforma në kontrollin tatimor dhe administrimi i TVSh-së”, u shpreh ai.

Ai shtoi se synimet e ATK-së janë implementimi i planit strategjik të ATK-së 2022-2026, përmirësimi i përmbushjes së tatimpaguesve të mëdhenj, implementimi i planeve vjetore, etj.

Ndërkaq, lidhur me sfidat e ATK-së në pjesën veriore, Murtezaj tha se do të vazhdojnë të shtrijnë autoritetin e tyre në gjithë territorin e vendit.

“Jemi duke u mundu t’i identifikojmë shmangiet tatimore. Proceset rekrutuese për staf të ri, për t`u zhvillu mundësia për staf të ri se është i nevojshëm”, tha ai.

Kurse, ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë se vetëm vitin e kaluar ka pas aksione sa komplet aksionet për dhjetë vite rresht.

“Më duhet ta përgëzoj stafin e menaxhmentin e ATK për arritjet për këtë 6 mujor dhe t`i falendëroj tatimpaguesit që e mbajnë shtetin në këmbë. Jemi të interesuar të shohim edhe më tutje forcim të institucioneve shtetërore. Kjo arrihet me rritjen e besimit të qytetarëve. Për ta rritur suksesin e ATK dhe shtetit është parakusht të ketë besim në institucione. Ndërtimi i sistemeve dhe formalizimi i ekonomisë është shumë i rëndësishëm”, tha ai.

Murati kërkojë vëmendjen e mediave për të raportuar bizneset që nuk lëshojnë kupon fiskal.