Mungon eksperti financiar, shtyhet gjykimi ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit në Prizren

Gjykata e Prizrenit ka vendosur të shtyjë seancën kundër ish-drejtorit të Urbanizmit, Nijaziu Kryeziu, pasi mungoi eksperti financiar.

Kryeziu po gjykohet se ka lidhur kontrata pa tenderë me televizionet lokale në kohën sa punonte në Komunën e Prizrenit.

Agim Sheqiri, ekspert financiar paraprakisht kishte njoftuar trupin gjykues të përbër nga kryetarja, Raima Elezi me anëtarët Luan Berisha dhe Gjimshit Galushi se gjendet në një udhëtim zyrtar jashtë vendit.

Për këtë ishte njoftuar i akuzuari Kryeziu me mbrojtësin e tij, Kujtim Kërveshi.

Nën këto kushte seanca e sotme është shtyrë dhe do të caktohet rishtas.

Sipas aktakuzës të ngritur më 2 gusht 2019, i pandehuri Nijazi Kryeziu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se gjatë periudhës kohore janar – dhjetor 2015, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Kryeziu nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV Opinion.

Sipas Prokurorisë duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës  Prizrenit.

Dëmi i shkaktuar me lidhjen e kësaj kontrate cilësohet të jetë në total prej 7 mijë e 200 euro, për periudhën 1 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2015, në vlerë prej 600 euro në muaj.

Për të gjitha këto akuza, në shtatorin e vitit 2021, Gjykata e shkallës së parë kishte shpallur Nijazi Kryeziun tw pafajshëm, por Gjykata e Apelit vendosi që çështja të rihapet për një rigjykim.