Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Apeli vendos për rastin e ish-drejtorit të Urbanizmit në Prizren, Nijazi Kryeziu

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e ish-drejtorit të Urbanizimit në Komunën së Prizrenit, Nijazi Kryeziu i cili ishte shpallur i pafajshëm për lidhjen e kontratave pa tender me disa televizione lokale.

Gjykata e Prizrenit më 21 shtator 2021, pas 2 vitesh gjykim Kryeziun e kishte liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës.

Mirëpo, pas parashtrimit të ankesës nga ana e Prokurorisë, shkalla e dytë mori vendim që për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës penale vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, çështja të kthehet për rigjykim dhe rivendosje.

Në vendimin që KALLXO.com ka siguruar, Apeli ka vlerësuar se vendimi i gjykatës së shkallës së parë duhet të kthehet për rivendosje.

“Konkludimi i gjykatës së shkallës së parë se i akuzuari nuk ka kryer vepër penale nuk mund të provohet si i drejtë i ligjshëm, kështu që aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë për rivendosje”, thuhet në vendimin e Apelit.

Në arsyetimin e Apelit është thënë se aktgjykimi i ankimuar është i paqëndrueshëm dhe gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë për çka rezulton se ka kontradikta lidhur me faktet dhe arsyet e paraqitura në arsyetim me përmbajtjen e dokumenteve dhe shkresave të lëndës.

“Gjatë dhënies së arsyeve për faktet vendimtare, arsyetimi i aktgjykimit të ankimuar përkitazi me faktet, bazohet në prova të papranueshme dhe si i tillë rezulton të jetë konfuz, i pa qartë dhe juridikisht i pa pranueshëm. Përveç, dispozitivit i cili bie në kundërshtim me arsyetimin, por edhe vetë arsyetimi përveç që është kontradiktor bie në kundërshtim me provat dhe shkresat e lëndës”, thuhet në vendim.

Tutje shkalla e dytë ka cituar se arsyetimi përveç që është bazuar në prova të papranueshme, gjykata e shkallës së parë provën për të cilën ka vendosur të shpallë të papranueshme e ka refuzuar propozimin e Prokurorisë për nxjerrjen e provës tjetër.

“Edhe pse ekspertizën financiare e ka shpallur provë të papranueshme, gjykata nuk vendosi që të procedojë me provën përmes ekspertizës tjetër, por, përkundrazi e refuzon propozimin e prokurorit ndërsa në arsyetim nuk thuhet asgjë lidhur me këtë refuzim”, thuhet në vendim.

Shkalla e dytë ka konkluduar se aktgjykimi i shkallës së parë duhet të anulohet dhe në shqyrtimin e sërishëm të eliminohen shkeljet në fjalë.

“Duhet të merren parasysh pretendimet ankimore e sidomos ato që kanë të bëjnë me ekspertizën dhe të bëhet vlerësimi se a bëhet fjalë për provë të pranueshme dhe atëherë të vendoset për propozim për ekspertizë tjetër financiare”, thuhet në vendim.

Nijazi Kryeziu u akuzua për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar kur ishte drejtor i Urbanizmit në Prizren nën udhëheqjen e ish-kryetarit Ramadan Muja.

Prokuroria, Kryeziun e ka akuzuar se pa hapur ndonjë procedurë tenderuese ka lidhur kontratë me “TV Opinion” për emitimin e spoteve reklamuese për sensibilizimin e opinionit publik për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit me të cilën ka udhëhequr.

Dëmi i shkaktuar me lidhjen e kësaj kontrate cilësohet të jetë në total prej 7 mijë e 200 euro, për periudhën 1 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2015, në vlerë prej 600 euro në muaj.

Kryesues i Asamblesë Komunale në Prizren, Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, këshilltar i ish – Kryeparlamentarit Kadri Veseli, janë detyrat të cilat Njazi Kryeziu i ka mbajtur në të kaluarën.

Kurse “i papunë”, ishte deklaruar Kryeziu që nga viti 2017.

Raportet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.