Ilustrim
Mungesa e një prej 10 të akuzuarve pamundëson mbajtjen e seancës gjyqësore në rastin “Subvencionet 3”
Mungesa e të akuzuarit S.S dhe mbrojtësit të tij Halit Shaliani pamundësuan që sot të mbahej seanca fillestare në rastin e njohur si “Subvencionet 3”. Në këtë rast të akuzuar janë 10 persona.
Veprat që rëndojnë mbi ta janë mashtrim me subvencione, marrje e dhënie ryshfeti, ndihmë në marrjen e ryshfetit e vepra të ngjashme penale që lidhen me subvencione.
H.M., L.S., F.M., V.K., B.G., A.A., A.A., S.K., dhe K.M ishin nëntë personat të cilët u paraqitën në Gjykatën e Prishtinës për t’u përballur me akuzat që Prokuroria i ngarkon.
Mungesa e të akuzuarit S.S, pamundësoi fillimin e gjykimit, për këtë gjyqtarja e rastit Valbona Musliu-Selimaj njoftoi palët se nuk ka pranuar ndonjë arsyetim për mungesën e tij.
Në pamundësi të vazhdimit të shqyrtimit fillestar, seanca e sotme nuk u mbajt. E njëjta u caktua të mbahet më 6 shtator 2023.
Kujtojmë që në departamentin special të Gjykatës së Prishtinës janë duke u zhvilluar edhe dy procese gjyqësore për vepra të ngjashme penale. Rastet janë të njohura për publikun si “Subvencionet 1” dhe “Subvencionet 2“.
Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, në pikën një të aktakuzës bëhet fjalë për H.M dhe L.S.
Sipas aktit të akuzës, në muajin dhjetor të vitit 2020, i pandehuri H.M si person zyrtar në bashkëkryerje me L.S. kanë pranuar ryshfet nga A.A., që të veprojnë kundër detyrës zyrtare, ky i fundit me qëllim që të aplikojë për subvencione për H.A..
H.M. takohet me A.A takohen në një restorant në Istog dhe arrijnë marrëveshje që këtij të fundit t’i mundësohet fitimi në një subvencioni në mënyrë të kundërligjshme, në këmbim të 30 mijë eurove ryshfet.
A.A pranon subvencionin në vlerë mbi 72 mijë euro, kështu që i pandehuri H.M takohet me përfituesin e subvencionit dhe në prani të tij nga personi me inicialet B.L pranon 30 mijë euro ryshfet. Këto të holla i pandehuri H.M. më shumë se gjysmën e parave i ndal për vete kurse 12 mijë euro pas një kohe i’a dorëzon të pandehurit tjetër L.S.
Kurse në pikën dy të akuzës vetëm i pandehuri H.M në vitin 2019 pranon ryshfet nga A.A., me qëllim që ku i fundit të aplikojë për subvencion në emër të H.A., të cilët paraprakisht janë marrë vesh që t’i mundësohet fitimi i subvencionit në vlerë prej 70 mijë euro personit A.A në këmbim të 15 mijë eurove ryshfet.
H.M me këto veprime akuzohet për marrje ryshfeti kurse A.A akuzohet se ka kryer veprën penale dhënia e ryshfetit, ndërsa në momentin kur ka aplikuar për subvencione në emër të personit H.M., i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale mashtrim me subvencione duke paraqitur të dhëna të pasakta në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.
Kurse i pandehuri tjetër L.S., në dhjetor të vitit 2020 akuzohet se ka pranuar ryshfet në cilësinë e zyrtarit në Agjencinë për zhvillim me Bujqësi, nga i pandehuri tjetër S.K., përmes A.A..
S.K kishte përfituar një grant dhe kishte lidhur kontratë më Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë për financimin e projekteve investuese të zhvillimit rural në vlerë prej 194 mijë euro, por gjatë procedurës të implementimit të projektit Agjencia i’a refuzon pagesën kinse për vonesë. Gjatë kohës së ankimimit, i pandehuri S.K. takohet me të pandehurin L.S. në zyrën e tij dhe e njofton se iu ka refuzuar pagesa për shkak të vonesës. Lidhur me këtë rast A.A në koordinim me L.S takohen me S.K dhe arrijnë marrëveshje që për kryerjen e këtyre pagesave të grantit të jepen ryshfet 30 mijë euro.
L.S me këto veprime akuzohet se ka kryer veprën penale marrje ryshfeti kurse A.A. për këto veprime akuzohet për ndihmë në marrje ryshfeti e S.K., akuzohet për dhënie ryshfeti.
Në këtë rast i akuzuar është edhe V.P., i cili akuzohet se në vitin 2016 ka pranuar ryshfet në cilësinë e Zyrtarit në Divizionin e projekteve për Zhvillim Rural në Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë, nga i pandehuri H.A. e përmes B.G..
Ashtu që B.G kërkon nga V.K. që t’i ndihmojë të pandehurit H.A. të përfitojë një grant. Pastaj H.A aplikon në një projekt, e në procesin e vlerësimit të dokumentacionit për dhënien e këtij projekti merr pjesë vet V.K., ku më vonë e njofton B.G se është përfitues i grantit në vlerë prej mbi 391 mijë euro.
Pas disa ditësh, H.A takohet me B.G dhe i dorëzon shumën prej 10 mijë euro e ky i fundit i dorëzon shumën të pandehurit V.K.
Kështu V.K. ka kryer veprën penale marrje ryshfeti kurse H.A ka kryer veprën penale dhënie e ryshfetit ndërsa B.G. ka kryer veprën penale ndihmë në marrje ryshfeti.
Në fund të aktit akuzues flitet edhe për K.M, i cili akuzohet se i ndihmon të pandehurit H.M të bëjë mashtrimin me subvencione duke paraqitur të dhëna të pasakta gjatë aplikimit për subvencione. Duke konsumuar veprën penale ndihmë në mashtrim me subvencione.