Rruga "Epopeja e UÇK-së" në Kaçanik të Vjetër - Foto: KALLXO.com

Mungesa e ndriçimit publik po u sjell telashe banorëve të Kaçanikut të Vjetër

Mungesa e ndriçimit publik dhe mosfunksionimi i trupave ndriçues në disa rrugë po u shkakton telashe banorëve të fshatit Kaçanik i Vjetër.

Kur frekuentojnë rrugët e fshatit gjatë mbrëmjeve ata patjetër duhet të marrin ndonjë gjë me vete, sepse shpesh po u shfaqen edhe qentë endacakë.

Banorët kanë treguar se në rrugën “Epopeja e UÇK-së” nuk ka fare ndriçim.

Ata thonë se edhe atëherë kur funksionojnë trupat ndriçues, ka plot prej tyre që nuk punojnë dhe si shembull ata e përmenden rrugën “Komandant Bardhi”.

Fatlum Vishi, banor i fshatit Kaçanik i Vjetër, ka thënë se kohëve të fundit trupat ndriçues nuk i kanë parë të ndezur fare në rrugën “Epopeja e UÇK-së”.

Rruga Epopeja e UÇK-së, Foto: KALLXO.com

Sipas tij, një gjysmë e dritave të ndriçimit publik funksionon nganjëherë e gjysma tjetër jo. Ai ka theksuar se ka drita të këtij ndriçimit që kanë defekte.

Mungesa e ndriçimit publik ai tha se po iu krijon vështirësi.

“Jetën na e vështirëson, kur vozisim me veturë, këmbësorët mundesh me i vërejt më larg edhe ndonjë kafshë kur të del, e vëren më larg, po edhe për këmbësorë që zakonisht ecin në mbrëmje edhe ato me biçikleta, e kanë sigurinë pak më në nivel”- ka shtuar Vishi.

Qytetari ka thënë se ata janë të lodhur sepse ankesat e tyre nuk merren shumë seriozisht dhe tha se kjo është arsyeja që nuk janë ankuar më.

Imer Lama, banori tjetër i fshatit Kaçanik i Vjetër, ka thënë se trupat ndriçues në këtë fshat më shumë nuk punojnë se sa që punojnë.

“Ndriçimi publik, një ditë, punojnë një muaj, nuk punojnë hiç. Edhe janë të vendosura nëpër trotuare domethënë është dashtë me u vendos përreth trotuarit këta i kanë vendos nëpër trotuare. Edhe kjo drita këtu, e ka goditë vetura, as s’ka ardhë askush me këqyr më, qe 5 muaj është kështu“- ka thënë Lama.

Ai këtë e cilëson si mosinteresim e neglizhencë.

“Ka ndodhur edhe herëve të tjera që nuk kanë punu dritat as nuk ka ardhë askush me i rregullu. Gjysma e dritave punojnë e gjysma nuk punojnë, as nuk interesohet askush s’di pse. Shembull edhe në rrugën prej “Fushës Pajtimit” deri te shkolla nuk punojnë”- ka thënë ai.

Kjo çështje po iu shkakton probleme atyre.

“Problem sa të duash edhe me dashtë me ec natën se më shumë në mbrëmje ecim, pa ndriçim, s’po mundesh me ec se edhe shumë qen endacakë po ka edhe s’ke qysh me ec,  pa ndriçim”- ka shtuar ai.

Ai kërkon që të rregullohen më shpejtë trupat ndriçues.

Rruga “Komandant Bardhi”, Foto: KALLXO.com

Banorja e fshatit Kaçanik i Vjetër, Arbesa Vishi, në pjesën ku ajo jeton tregon se nuk funksionojnë fare dritat e ndriçimit publik.

“Momentalisht nuk është në rregull ndriçimi, është prishur tash e disa javë në mos gabohem dhe po na shkakton neve vështirësi si qytetar të këtij fshati, nuk punojnë askund, aty ku jemi ne, domethënë është defekti i gjithanshëm”-ka shtuar ajo.

Vishi ka shtuar se dëmtime të trupave ndriçues ka pasur vazhdimisht.

“Prej momentit që janë rregullu dritat, ka ndodhë, me pas defekte të pjesërishme, jo sikur tash, por kemi pas defekte vazhdimisht, por që janë rregullu domethënë kur kanë bë kërkesa qytetarët tjerë, janë rregullu ndoshta pas disa ditëve”- ka thënë ajo për KALLXO.com.

Ajo ka përmendur disa problematika që kjo mungesë e ndriçimit i ka sjellë.

“Unë si qytetare normalisht më shkakton probleme gjatë aktiviteteve të mia që i kryej në fshat nuk mundemi të ecim lirshëm, pastaj dhe qentë endacakë domethënë nuk mundemi se shkaku që të nevojitet drita për me pas një lloj sigurie ti gjatë ecjes, në mbrëmje, errësirë është”- ka thënë Arbesa Vishi.

Banorja kërkon që të tregohet kujdes më shumë ndaj kërkesave të tyre.

“Thirrja ime është që në momentin që kemi probleme të tilla është mirë që t’i rrijnë më shumë gati kërkesave të qytetarëve që neve të na lehtësohet jetesa jonë sepse në momentin që kemi vështirësi të tilla, do të kemi probleme vazhdimisht, nuk mund të ecim lirshëm, na nevojitet gjithmonë të kemi diçka me vete për të ecur”- tha ajo.

Përfaqësuesi i fshatit në Kaçanik të Vjetër, Adnan Krasniqi, ka thënë se ndriçimi publik ka munguar tash e një kohë e për këtë çështje theksoi se kanë drejtuar ankesa.

“Është kohë e gjatë që nuk punojnë dritat në përgjithësi. Këto drita kohë pas kohe disa punojnë e disa s’punojnë. Na kemi bë përpjekje, kemi qenë te drejtori, kemi bërë ankesa për këto drita, po për momentin nuk ka asgjë”- ka thënë ai.

Sipas tij, ky projekt që nga fillimi është përcjellë vazhdimisht me probleme.

“Pothuajse prej fillimit që janë ndreqë këto drita edhe që është kry si tender këto janë pranu me defekt edhe nuk kanë punu, domethënë pjesë -pjesë nuk kanë punu”- ka shtuar ai.

Përfaqësuesi i fshatit ka theksuar se mungesa e ndriçimit publik po iu shkakton probleme sidomos fëmijëve e nxënësve.

“Më së shumti u shkakton fëmijëve, nxënësve, këmbësorëve që dalin të ecin, e të shëtiten sidomos kemi nxënës që kthehen prej Ferizajt rrugës “Fusha e Pajtimit” në Kaçanik të Vjetër, dritat nuk punojnë dhe mendoj se janë të rrezikuar nxënësit”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Më tej, përfaqësuesi Krasniqi tregoi përgjigjen që ka marr në Komunë.

“Në Komunë na kanë thënë që janë duke e kontraktu një firmë për mirëmbajtjen e tyre edhe tash po presim”- tregoi ai.

Ai ka shtuar se shqetësimi është edhe i banorëve për këtë çështje dhe ka kërkuar që të veprohet më shpejt dhe të eliminojnë këtë problematikë.

Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në Kaçanik, Ramadush Osmani, ka treguar arsyen se pse në njërën rrugë të këtij fshati ka mungesë të ndriçimit.

“Në rrugën “Epopeja e UÇK-së” në Kaçanik të Vjetër trupat ndriçues kanë qenë aktivë deri javën e kaluar, por shkaku i punimeve që janë duke u zhvilluar në shtrirjen e rrjetit të ri të KEDS-it në këtë rrugë është dëmtuar rrjeti i këtij ndriçimi”- ka thënë drejtori për KALLXO.com.

Sipas tij, ata do të ndërmarrin veprime konkrete.

“Zyrtarët përgjegjës të Komunës do të dalin në terren dhe do të urdhërohet kompania që ka shkaktuar defektin për sanim urgjent”- tha ai.

Kurse në rrugën “Komandant Bardhi”, të Kaçanikut të Vjetër, nga “Fusha e Pajtimit” deri te ura mbi lumin Nerodime, mbi 30 trupa ndriçues nuk punojnë.

Drejtori Osmani tregoi se është ndërhyrë në këtë pjesë.

“Kemi intervenuar më parë në këtë rrjet, gjatë muajit shtator dhe kemi sanuar defektet e paraqitura. Defektet mund të paraqiten prapë. Në vazhdimësi zyrtarët komunalë përgjegjës inspektojnë rrjetet e ndriçimit publik dhe bëjnë evidentimin e defekteve të paraqitura”- ka thënë ai.

Këtë javë ai tha se pritet të nënshkruhet një kontratë dhe do të intervenohet në disa lokacione duke e përfshirë edhe rrugën e lartpërmendur “Komandant Bardhi”.

“Këtë javë pritet të nënshkruhet një kontratë emergjente, ku kemi paraparë të intervenojmë në disa lokacione me prioritet dhe gjithashtu intervenojmë edhe në këtë rrugë”- ka shtuar Ramadush Osmani.

Sipas tij, shkaku i mungesës së kontratës aktive nuk po arrihet të reagohet shpejt.

“Mungesa e kontratës aktive për mirëmbajtjen e rrjeteve të ndriçimit publik po shkakton pengesa në reagim të menjëhershëm për sanimin e defekteve. Sa për dijeninë tuaj që nga shtatori i vitit 2022 e deri më sot nuk është kontraktuar kompania për mirëmbajtjen e ndriçimit publik shkaku i ankesave të operatorëve ekonomikë në OSHP”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Drejtori ka përmendur edhe disa shkaqe se pse trupat ndriçues edhe kur ka ndriçim nuk punojnë fare.

“Trupat ndriçues kanë jetëgjatësinë e tyre sipas prodhuesit. Po ashtu, shkaku i jostabilitetit të rrymës dhe dukurive natyrore (rrufeja, etj.) shpesh na shkaktojnë defekte të papritura në rrjete të ndriçimit”- tregoi drejtori i Shërbimeve Publike.

Drejtori ka thënë se ka njoftime nga administratorët lokalë të cilët informojnë rreth gjendjes së ndriçimit publik. Gjithashtu tha se edhe nga asamblistët ngriten si kërkesa.

Tutje, ai theksoi sqarimet që atyre iu kanë dhënë.

“U jemi përgjigjur me kohë dhe jua kemi sqaruar se vonesat në intervenim janë kryesisht nga mungesa e kontratës aktive për mirëmbajtjen e rrjeteve të ndriçimit publik që po shkakton pengesa në reagim të menjëhershëm për sanimin e defekteve. Procedura e kontraktimit nuk është në domenin e Drejtorisë po varet nga Zyra e Prokurimit”- ka thënë ai.

Ndërsa, Lulzim Krasniqi, zëdhënës në KEDS, ka thënë se janë në dijeni për dëmtimin e rreth pesë shtyllave të ndriçimit në këtë fshat.

“Dëmtimi i tyre është bërë dje nga një kompani kontraktuese e KEDS-it derisa po i kryente disa punime aty në kuadër të planit investiv të KEDS-it”- ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, nesër pritet të rregullohen këto shtylla të dëmtuara.

“Ju njoftojmë se nesër ekipet përkatëse do të dalin në vend dhe do t’i rregullojnë këto shtylla të dëmtuara”- ka shtuar zëdhënësi i KEDS-it për KALLXO.com.

Tutje ai ka thënë se KEDS-i falënderon mediat për bashkëpunimin dhe raportimin e çfarëdo rasti, qofshin ato si ky ose raste të tjera me interes për konsumatorin.