Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Mungesa e kuorumit për votim të marrëveshjeve ndërkombëtare përplas Konjufcën dhe Tahirin e PDK-së

Mungesa e kuorumit për votimin e marrëveshjes ndërkombëtare për projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”, ka përplasur verbalisht kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahirin, gjë që shpiu në ndërpritjen e seancës së sotme.

Kjo pasi sipas Konjufcës, në mbledhjen e Kryesisë janë marrë me grupet parlamentare se mund të ketë kuorum për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Nuk ka kuorum, por dua të them se me të vërtetë nuk është korrekte nga PDK-ja. Sepse në kryesi jemi marrë vesh dhe ka kaluar kjo punë, se kishte dyshime për të enjten a me e mbajtë seancën ose jo dhe dilemat u ngitën. Të gjithë ishim të një zëri që po mbahet sepse mund të ketë kuorum për marrëveshjet ndërkombëtare dhe grupet u zotuan që do të sjellin aq sa ishte e mundshme”- ka kritikuar Konjufca.

“Grupi i PDK-së në fillim i pati të gjithë deputetët, pastaj siç po e shoh për shkak të disa mospajtimeve dolën. Atëherë këto mospajtime është dashtë me m`u treguar mua si kryetar i Kuvendit të hënën dhe unë nuk kisha caktu me i sjellë deputetët këtu të enjten hiq, sa për korrektësi”- shtoi ai.

Në kundërpërgjigje të Konjufcës, Tahiri i PDK-së tha se në agjendë figurojnë pika që nga seancat e prillit dhe sipas tij këto vonesa janë të pa pranueshme.

“Prej 20 prillit i keni në agjendë këto marrëveshje kombëtare. Për këtë marrëveshje, kështu qysh po silleni ju grupi i LVV-së, që kurdo që ju teket juve, pas dy muajsh e tre maujsh i vendosni në axhendë e i shtyeni, kjo është e papranueshme, këtë degradim të Kuvendit që ia keni bo duheni me i thirrë mendjes dhe me pasë pak disiplinë “- ka thënë Tahiri.

“Kritikën kryesore e kemi në neglizhencën, në mos punën, në mos angazhimin e duhur të kësaj mazorancë si në Kuvend ashtu edhe në Qeveri. Me pas qenë të rëndësishme këto për juve dhe qeverinë tuaj, më besoni tashmë do ishte në fazën e implementimit, po flasim për dokumente të 20 prillit”- u shpreh ai.

Konjufca më pas deklarata e Tahirit i quajti “aspakt të ndershme”, teksa shtoi se marrëveshjet ndërkombëtare nuk mund të kalojnë nëse PDK-ja nuk i voton, pasi duhet edhe mbështetja e tyre për t’i votuar.

“Zotëri Tahiri, unë konsideroj që kjo nuk është aspak e ndershme. Këto fjalë kishe mujtë me mi thonë edhe në mbledhje të Kryesisë, dhe të më kishe thënë kështu unë nuk i kisha thirrë deputetët sot. Pikërisht pse nuk the, ne i ftuam deputetët. Si mund të flasësh për zvarritje, kur dihet objektivisht që këto nuk kalojnë nëse PDK-ja nuk i voton, ti është dashtë me na tregu “PDK nuk voton asnjë marrëveshje ndërkombëtare”- tha Konjufca.

Kryeparlamentari tha se pa opozitën nuk ka marrëveshje ndërkombëtare në Kuvend.

“Por ti na ke shty drejt krijimit të kompromisit për arritjen e atij kompromisit për votimin e amendamentit të të hyrave vetanake të komunave me premtimin që do t’i votoni marrëveshjet ndërkombëtare, e tash këtu po thu i keni zvarritë. Duheni me e kuptu se pa opozitën nuk ka marrëveshje ndërkombëtare në Kuvend”- tha Konjufca.

Deputeti Tahiri, më pas tha se marrëveshjet ndërkombëtare mund të kalojnë edhe pa PDK-në, duke deklaruar se nuk do të marrin pjesë në votim.

“Pa grupin parlamentar të PDK-së mund të kalojnë këto sepse ne nuk i bllokojmë dy të tretat. Ky është qëndrim i grupit tonë ku ne në shenjë indinjate në krejt këtë dështim që jeni tu ja bë Kuvendit, ne nuk do marrim pjesë në votim të këtyre marrëveshjeve”- theksoi Tahiri.

Përplasja verbale ka vazhduar përderisa Konjufca ka rikujtuar deklarimet e grupeve parlamentare në mbledhjen e Kryesisë që u mbajt të hënën, ku sipas tij ka marrë siguri nga secili grup parlamentar se “Do të sjellin aq deputetë sa kanë mundësi”.

“Në Kryesi e di që keni qëndrime të ndryshme dhe të kundërta, mua ato si kryetar i Kuvendit nuk më interesojnë. Unë ju pyeta secilin grup parlamentar se nëse ka mundësi për mbajtjen e një seance të enjten dhe secili jeni pajtu në një pikë “Do të sjellim aq deputetë sa kemi mundësi”, nuk ka qenë që nuk do i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare, se e di saktë çka keni deklaru”- ka thënë kryetari i Kuvendit.

“LDK kanë thënë se sa të kenë mundësi me ardhë vijnë, nuk po garantoj që vijmë krejtë, AAK njejtë, ju [PDK] njëjtë. Të më kishe thënë “Kryetar harroje PDK-në, asnjë votë nuk e ke në marrëveshje ndërkombëtare”, nuk e kisha thirrë këtë seancë. Nuk po më intereson qëndrimi yt pse je kundër, është i PDK-së, unë e respektoj. Po të ma kishe tregu të vërtetën sepse unë sinqeritet po kërkoj, se kjo më ndihmon në mbarëvajtje të seancave”- tha mes tjerash Konjufca.

Në kundër replikë, shefi i grupit parlamentar të PDK-së tha se votimi dhe mos votimi është çështje e tyre dhe se nuk mund të ju imponohet mënyra se si veprojnë.

“As sot e as në të ardhmen nuk do ta refuzoj mbajtjen e seancave. Votimi dhe mos votimi është çështje e jona politike, është qëndrim i yni a e votojmë ose jo. Nuk mundesh me ma impunu ti mua, si  e votoj këtë ligj ose atë ligj. Nëse ju do të ishit në krye të detyrës nuk do ishim me pika të 20 prillit duke i diskutu tash në fund të sesionit pranveror”- ka vlerësuar Tahiri.

Pas kësaj, Konjufca ka ndërprerë punimet e seancës, duke lënë kështu pa u votuar marrëveshjet ndërkombëtare që ishin në rend dite sot.

“Atëherë ndërpritet kjo seancë, shkojmë në shpi”- përfundoi Konjufca.

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot seancë plenare për të shqyrtuar pikat e mbetura nga seancat e kaluara.