Muhaxheri arsyetohet për ndejën në Rugovë gjatë orës policore: Më kanë thirrë me pi kafe

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ditë më parë ishte parë në një ndejë private në Rugovë, në kohën kur në Pejë dhe në shumë qytete të Kosovës ishte koha e orës policore.

Nën tingujt e muzikës live, alkoolit e shoqërisë, i pari i Pejës nuk respektoi masat që i vendosi bashkëpartiaku i tij nga LDK, Armend Zemaj.

I pyetur për këtë në emisionin ‘Debat Plus’ në RTV Dukagjini, Muhaxheri është arsyetuar duke thënë se e ka shtëpinë atje dhe disa të ‘njofshëm’ e kanë thirrë me pi kafe.

“Kanë ardhë me pi kafe aty 4-5 kojshi aty rend duke banu aty. Domethënë nuk është që ne e kemi thy ndonjë rregull. Ajo këngëtarja ka qenë në shtëpinë tjetër duke pushu. Është një veprim që unë e kom bo, më kanë thirrë me e pi një kafe, kanë qenë dy vetë, kanë ardhë edhe dy janë bo katër e janë bo gjashtë…”, është arsyetuar Muhaxheri.

Përveç Muhaxherit, në ndejën në Rugovë të Pejës ishte edhe drejtoresha e Kulturës, Xhenet Syka- Kelmendi. Vetë Syka-Kelmendi ka refuzuar të flasë për këtë ndejë, pamjet e së cilës ajo vetë i shpërndau në “Instagram”.

Vendimet e ekzekutivit kosovar ndalojnë grumbullimin e më shumë se pesë personave nëpër ahengje familjare.

Gazmend Muhaxheri në ndejë me muzikë live në kohën kur Peja është në karantinë