Foto: MPJD

MPJD: Mos bini pre e lajmeve të rreme nga Serbia se gjoja ka tërheqje të njohjeve për Kosovën

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka kërkuar nga opinioni publik dhe nga mediat të mos bien pre e lajmeve të rreme që vijnë nga Serbia, në lidhje me pretendimet për gjoja gatishmërinë e disa shteteve për tërheqje të njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Sipas komunikatës, MPJD thotë se pretendimet se disa shtete mund të marrin vendim për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës “janë spekulime dhe pjesë e fushatës së Serbisë për të dëmtuar subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit”.

“MPJD ka komunikim të vazhdueshëm me të gjitha vendet njohëse, përmes kanaleve të saj diplomatike, diplomatëve të saj dhe përmes shteteve aleate, dhe dëshirojmë t’ju bëjmë të ditur se asnjë prej vendeve që janë përfolur nga mediet serbe, as që e kanë diskutuar mundësinë për ndryshim të pozicionit në raport me Republikën e Kosovë”, thuhet në postimin e Ministrisë në rrjetin social “Facebook”.