MPJD me program për ‘diplomaci qytetare’, synon angazhimin e mërgatës në hartimin e politikave

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka prezantuar programin për ‘diplomaci qytetare’, që sipas saj, synon forcimin e lidhjeve të mërgatës, me shtetin e Kosovës.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, Gashi tha se programi mundëson angazhimin profesional të mërgatës në institucionet e Kosovës.

“Synohet të angazhohen deri në 25 profesionistë në kuadër të këtij programi. Ky program është në harmoni me zotimet e Qeverisë për përfshierjen e mërgatës në politik-bërje. Synojmë që mërgata të kontribuojë me dije, përvojë dhe ide të reja, që ndërlidhen me krijimin e politikave në kuadër të punës që e bëjmë si ministri” – ka thënë Gashi.

Sipas saj, programi do të jetë për një periudhë deri në 10 muaj, e në të ardhmen pritet të zgjerohet edhe nëpër ministri të tjera të linjës.