MPJ: S’kemi asgjë zyrtare për tërheqjen e njohjes nga Sierra Leone

Në mediat serbe është duke qarkulluar lajmi se Sierra Leone ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Këtë informacion e ka dhënë për mediat serbe, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Mirëpo, nga ministria e punëve të jashtme të Kosovës thonë se s’kanë ndonjë informacion zyrtar për tërheqjen e njohjes.

Shefi i kabinetit të ministrit Konjufca, Kreshnik Ahmeti tha për KALLXO.com, se nuk ka asgjë zyrtare.

“Nuk kemi informacion zyrtar në lidhje me këtë. Drejtoritë politike janë duke tentuar të marrin detaje”, tha Ahmeti për KALLXO.com

Sierra Leone, një shtet në perëndim të Afrikës me rreth 7.6 milionë banorë, e kishte njohur Kosovën në qershor të vitit 2008, më pak se tre muaj pasi vendi e kishte shpallur pavarësinë.

Daçiq thotë se edhe një shtet e ka tërhequr njohjen e Kosovës

Kryeministri Albin Kurti javën që shkoi njoftoi se nga 15 marsi do ta heq tarifën 100% për lënden e parë, derisa ka premtuar se do ta heq të gjithë tarifën nëse Serbia e ndalon fushatën kundër shtetësisë së Kosovës.

“Nëse pala serbe dëshmon në ndalimin e fushatës dhe barrierave atëherë duke filluar nga data 1 prill Qeveria do ta heq tërësisht tarifën për import për një periudhë prej 90 ditësh”, kishte thënë kryeministri Kurti në konferencën ku kishte lajmëruar heqjen e tarifës për lëndë e parë.

Albin Kurti: Nga data 15 mars hiqet tarifa për lëndën e parë nga Serbia

.