Daçiq thotë se edhe një shtet e ka tërhequr njohjen e Kosovës

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë të martën se Sierra Leone e ka tërhequr njohjen e shtetit të Kosovës, raporton gazeta beogradase “Blic”.

Këtë Daçiq e tha gjatë vizitës që po i bën këtij shteti.

Ky lajm vjen në kohën kur autoritetet në Kosovë po kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare të ndikojë në Serbinë që ta ndalë fushatën për t’i bindur shtetet që t’i tërheqin njohjet e Kosovës.

Tërheqjen e njohjes nga ky shtet Daçiq e kishte shpallur edhe në janar të këtij viti.

Sierra Leone, një shtet në perëndim të Afrikës me rreth 7.6 milionë banorë, e kishte njohur Kosovën në qershor të vitit 2008, më pak se tre muaj pasi vendi e kishte shpallur pavarësinë.