MPB me tender mbi 2.6 milionë euro për furnizim me targa të automjeteve

Më 9 dhjetor 2022, nëpërmjet platformës elektronike për prokurim publik në Kosovë, “e-prokurimi”, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka hapur tender për t`u furnizuar me targa për regjistrim të automjeteve.

Sipas njoftimit të MPB-së, për furnizimin me targa, kjo ministri ka parashikuar vlerë të kontratës deri 2,632,297.70 euro, për kontratën publike kornizë me kohëzgjatje 36 muaj.

Për këtë tender, u përdor procedura e hapur e prokurimit, me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Nëpërmjet këtij tenderi planifikohet furnizimi me targat me dimensione të ndryshëm për regjistrim të automjeteve njashtu dhe për motoçikleta, ku sipas njoftimit pritet të blihen 62 artikuj të ndryshëm me sasi gjithsej 322,210 copë.

Afatin i fundit për ofertim nga kompanitë e interesuara për këtë aktivitet të prokurimit, sipas njoftimit për kontratë, nga ministria është caktuar data 20 janar 2023.

KALLXO.com , më parë raportoi se Ministria e Punëve të Brendshme ka nënshkruar kontratë në vlerë 189 mijë euro për furnizim me certifikata për regjistrim të automjeteve.

Kontrata në kohëzgjatje prej 36 muaj, i është besuar grupit të operatorëve ekonomikë, “Kosova Information Technology Sh.A” dhe “Demax Holograms PLC”. Kontrata për certifikata për regjistrimin e automjeteve u nënshkruar rreth 7 muaj nga inicimi i saj.

Nëpërmjet kësaj kontrate, MPB pritet të furnizohet me gjithsej 900 mijë certifikata për regjistrim të automjeteve, me çmim 0.21 euro për copë.

Ministria e Punëve të Brendshme nënshkroi kontratë 189 mijë euro për certifikata të regjistrimit të automjeteve

 

Ndryshe, në fillim të muajit tetor të vitit 2022, ka filluar edhe konvertimi i targave ilegale serbe që kanë qarkulluar në Kosovë në ato RKS. Por numri i tyre sipas të dhënave të MPB-së nuk ka qenë i madh.

Vendimi i ri qeveritar parasheh disa masa, të ndara në faza të ndryshme, e që përfundojnë më 21 prill 2023, pas cilës datë, sipas kryeministrit nuk do të lejohet të ketë targa të tjera në Kosovë.

“Duke filluar nga 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj nga 21 nëntor, për 2 muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj, nga 21 janari do të kemi targa provuese për 2 muaj të tjerë. Pas datës 21 prill nuk do të ketë më targa provuese, pasi që nuk mund të ketë targa të tjera në Republikën e Kosovës” – tha kryeministri Kurti para anëtarëve të qeverisë.

Gjithashtu, një ditë para hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë, Ministria e Punëve të Brendshme i ka bërë thirrje prapë qytetarëve që automjetet që i kanë të regjistruara në targa ilegale t’i kthejnë në RKS.

MPB ka thënë se në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve do të vazhdojë regjistrimi i mjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022.

Targat ilegale kanë qenë ndër temat më të diskutuara muajve të fundit në Kosovë. Vendimet e Qeverisë Kurti për t’i dhënë fund targave ilegale serbe në Kosovë, zmbrapsja e afatet shtesë për hir të kërkesave të SHBA-së, tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës e thirrjet e ndërkombëtarëve për përmbajtje, në fund rezultuan me një dakordim mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Më 23 nëntor, palët në Bruksel u dakorduan për çështjen e targave për të shmangur eskalimin e situatës në veri.

“Për hir të miqve” – Afatet dhe zmbrapsja për çështjen e targave