Ministria e Punëve të Brendshme nënshkroi kontratë 189 mijë euro për certifikata të regjistrimit të automjeteve

Më 10 tetor, Ministria e Punëve të Brendshme ka nënshkruar kontratë në vlerë 189 mijë euro për furnizim me certifikata për regjistrim të automjeteve.

Kontrata në kohëzgjatje prej 36 muaj, i është besuar grupit të operatorëve ekonomikë, “Kosova Information Technology Sh.A” dhe “Demax Holograms PLC”. Kontrata për certifikata për regjistrimin e automjeteve u nënshkruar rreth 7 muaj nga inicimi i saj.

Nëpërmjet kësaj kontrate, MPB pritet të furnizohet me gjithsej 900 mijë certifikata për regjistrim të automjeteve, me çmim 0.21 euro për copë.

Për tenderin e hapur në muajin mars të këtij viti, MPB përdori procedurën e hapur të prokurimit, me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Për këtë aktivitet të prokurimit, MPB kishte parashikuar 198 mijë euro por kontrata është nënshkruar rreth 9 mijë euro më lirë.

Në tetor Qeveria e Kosovës mori një vendim të ri për automjetet me targa ilegale, të cilin kryeministri Albin Kurti e ka quajtur vendim që bënë “sekuencimin dhe shkallëzimin e sanksioneve për targat ilegale”.

Në fillim të muajit tetor ka filluar edhe konvertimi i targave ilegale serbe që kanë qarkulluar në Kosovë në ato RKS. Por numri i tyre sipas të dhënave të MPB-së nuk ka qenë i madh.

Vendimi i ri qeveritar parasheh disa masa, të ndara në faza të ndryshme, e që përfundojnë më 21 prill 2023, pas cilës datë, sipas kryeministrit nuk do të lejohet të ketë targa të tjera në Kosovë.

“Duke filluar nga 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj nga 21 nëntor, për 2 muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj, nga 21 janari do të kemi targa provuese për 2 muaj të tjerë. Pas datës 21 prill nuk do të ketë më targa provuese, pasi që nuk mund të ketë targa të tjera në Republikën e Kosovës” – tha kryeministri Kurti para anëtarëve të qeverisë.

Gjithashtu, një ditë para hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë, Ministria e Punëve të Brendshme i ka bërë thirrje prapë qytetarëve që automjetet që i kanë të regjistruara në targa ilegale t’i kthejnë në RKS.

MPB ka thënë se në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve do të vazhdojë regjistrimi i mjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022.