array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=6"
  }
}

Takimi i Kurtit me ambasadorin e SHBA-së, Foto: ZKM

“Për hir të miqve” – Afatet dhe zmbrapsja për çështjen e targave

Deklarata

Vendimi për reciprocitet në targa

Qeveria e Kosovës

Vlerësimi

Qëndrim i ndërruar

Më 29 qershor 2022, Qeveria e Kosovës mori vendim që nga 1 gushti pronarët e automjeteve me targa ilegale t’i konvertojnë ato në RKS. Pas kërkesë së ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, zbatimi i vendimit u shty për një muaj, deri në fund të tetorit. Kur po vinte fundi i tetorit, SHBA-të kërkuan që vendimi të shtyhej për 10 muaj. Kurti e ndryshoi vendimit, duke e bërë regjistrimin e automjeteve me targa ilegale në tri faza. Implementimi i vendimit filloi më 1 nëntor 2022. Kur u afrua 21 nëntori, fillimi i fazës së dytë, asaj të gjobitjes së pronarëve të automjeteve me targa ilegale, u vendos që gjobat të shqiptoheshin nga 22 nëntori, në përpjekje për të gjetur zgjidhje në Bruksel, në takimin e nivelit të lartë, mes Kurtit e Vuçiqit, më 21 nëntor. Takimi përfundoi pa marrëveshje. Në prag të 22 nëntorit, datës së përcaktuar për fillimin e shqiptimit të gjobave, ambasadori i SHBA-së kërkoi nga Qeveria e Kosovës që shqiptimi i gjobave të shtyhej për 48 orë. Kërkesa e SHBA-së u pranua. Brenda këtyre 48 orëve u arrit marrëveshje në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.

Artikulli

Targat ilegale kanë qenë ndër temat më të diskutuara muajve të fundit në Kosovë. Vendimet e Qeverisë Kurti për t’i dhënë fund targave ilegale serbe në Kosovë, zmbrapsja e afatet shtesë për hir të kërkesave të SHBA-së, tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës e thirrjet e ndërkombëtarëve për përmbajtje, në fund rezultuan me një dakordim mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Më 23 nëntor, palët në Bruksel u dakorduan për çështjen e targave për të shmangur eskalimin e situatës në veri.

Lajmëtari i këtij dakordimi, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, tha që Serbia do të ndalojë së prodhuari targa me akronimet e qyteteve të Kosovës, PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ dhe Kosova nuk do të shqiptojë gjoba për pronarët e automjeteve me targa ilegale.

Marrëveshja u arrit dy ditë pasi më 21 nëntor në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Edhe pas 8-orësh diskutime në takime të ndara dhe të përbashkëta, për arritjen e një zgjidhje për çështjen e targave, në fund nuk pati marrëveshje. 21-nëntori ishte paraparë të jetë afati prej kur fillonte shqiptimi i gjobave për pronarët e automjeteve me targa ilegale. Por, një ditë para se të fillonte shqiptimi i gjobave u dha njoftimi se ky veprim po shtyhej për një ditë, dhe do të fillonte më 22 nëntor. 

Pasi u dha lajmi që nuk ka marrëveshje, ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, tha se Kosova kishte propozuar që të pezullojë fazat e mëtutjeshme për targat, në këmbim që Serbia më të mos lëshojë targa ilegale, e po ashtu BE-ja të fillojë procesin e bisedimeve për propozimin e fundit të mbështetur nga Gjermania dhe Franca. Por që ‘çuditërisht’ propozimi i Kosovës ishte refuzuar. 

Që Kosova të mos fillojë shqiptimin e gjobave për pronarët e automjeteve me targa ilegale dhe që Serbia të mos prodhojë më targa me akronimet e qyteteve të Kosovës, u dakorduan në Bruksel dy ditë më vonë dy kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë.

Edhe pse veprimi i Kosovës u quajt zmbrapsje, Kurti ka thënë se dokumentet të cilat u janë ofruar më 21 nëntor dhe më 23 nëntor, dallojnë nga njëri tjetri. I pari i ekzekutivit para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se më 21 nëntor i është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët i cili ka pasur 95 fjalë dhe që nuk i referohej propozimit franko-gjerman. Sipas Kurtit, Kosova nuk ka ndryshuar qëndrim por Borelli ka ndryshuar deklaratë. 

“Ata që thonë që ajo çka nuk është pranuar të hënën është pranuar të mërkurën, nuk e dinë se për çka po flasin. Nuk është marrëveshje, është dakordim. Mbrëmë u ndryshua deklarata e Borrellit, ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borrelli ka ndryshuar deklaratë dhe kjo është shumë mirë” – tha kryeministri Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kurti para deputetëve tregoi edhe dallimet e këtyre dokumenteve.

“Të hënën në mbrëmje mua më është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët i cili ka pasur 95 fjalë dhe fjalët e Francës dhe të Gjermanisë nuk kanë qenë askund dhe nuk i referohet propozimit franko-gjerman ose të BE, përveç çështjes së targave. Ndërsa kjo që është dakorduar mbrëmë i ka 194 fjalë është më shumë se dyfishi i tekstit, janë krejtësisht të ndryshme” – përfundoi ai.

Dakordimi për çështjen e targave ka ardhur pas një situate të tensionuar në veri të vendit dhe dorëheqjeve të zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës dhe pas një presioni të madh ndërkombëtar karshi Qeverisë së Kosovës.

Shtyrja e parë për hir të SHBA-së

Më 29 qershor të këtij viti qeveria mori vendim që qytetarëve serbë që janë pronarë të automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, të pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS. Regjistrimi do të duhej të fillonte nga 1 gushti deri më 30 shtator.

Në prag të datës së paraparë për fillimin e regjistrimit të automjeteve me targa ilegale, serbët, në veri të Kosovës u lëshuan sirenat e alarmit nga strukturat ilegale serbe. Ata vendosën kamion në rrugë duke bllokuar në nëntë pika rrugët, edhe ato që çojnë drejt dy pikave kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Mirëpo më 31 korrik, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, kërkoi nga institucionet e Kosovës shtyrje të këtij vendimi, pas tensionimit të situatës në komunat veriore. Pak minuta pas kërkesës së ambasadorit të SHBA-së, Qeveria e Kosovës, kishte dhënë zotimin që të shtyhet zbatimi i vendimit për një muaj dhe në këmbim të kësaj të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

Pas këtij vendimi, pronarëve të automjeteve me targa ilegale iu dha afat shtesë (1 deri 31 tetor) për regjistrimin e tyre duke pasur edhe lehtësime nga pagesat për regjistrim. Mbi 10 automjete u konvertuan në targa RKS derisa u regjistruan disa incidente të djegies së veturave të atyre që i kishin kthyer targat në RKS.

Kërkesa për shtyrjen e dytë

E kur tetorit po i vinte fundi dhe po vinte afati i përcaktuar për fillimin e zbatimit të vendimit, Qeveria e Kosovës u përball edhe më një kërkesë për shtyrje të vendimit, kësaj radhe për 10 muaj. Këtë kërkesë, te presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti e bëri Gabriel Escobar, i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor.

“Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit, dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e ShBA-ve, por e gjithë QUINT-it. Dhe, kjo është për shkak se ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato” – pati thënë Escobar më 19 tetor.

Më 25 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha që i dëgjon sugjerimet e aleatëve, por duhet ta zbatojnë ligjin.

“Përveç se respektohet ligji jemi të kujdesshëm të mos rrezikohet paqja dhe siguria andaj edhe kur partnerët, aleatët na japin sugjerime ne i marrim ato i marrim shumë seriozisht dhe i analizojmë më kujdes”, ka thënë Kurti.

Pak ditë më vonë, më 28 tetor, Qeveria e Kosovës vendosi që vendimi për regjistrimin e automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia të zbatohet në tri faza, duke filluar nga 1 nëntori i këtij viti. Sipas këtyre fazave, nga 1 nëntori të gjithë pronarëve të automjeteve me targa serbe në Kosovë, do t’iu shqiptohej masë qortimi me kërkesë për t’u drejtuar në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve. Ndërsa nga 21 nëntori deri më 21 janar, të gjithë pronarët e automjeteve me targa serbe në Kosovë, do të gjobitshin me nga 150 euro.

Kështu që nga 1 nëntori deri më 21 nëntor, Policia e Kosovës ka vazhduar me lëshimin e fletëqortimeve. Prej 1 nëntorit deri më 20 nëntor janë lëshuar gjithsej 1,740 fletëqortime. Por 21 nëntori nuk qe fillimi i zbatimit të fazë së dytë, pasi Policia e Kosovës në mbrëmjen e 20 nëntorit njoftoi se shqiptimi i gjobave do të niste jo më 21 nëntor siç ishte përcaktuar por më 22 nëntor. Më 21 nëntor ishte thirrur një takim trepalësh në Bruksel, që vendosi përballë kryeministrin kosovar Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili përfundoi pa marrëveshje.

Shtyrja e tretë me kërkesë të SHBA-së

Pak pas mesnatës së 22 nëntorit, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, njoftoi se kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë për 48 orë fillimin e shqiptimit të gjobave për qytetarët që përdorin targa të automjeteve të cilat autoritetet kosovare po i cilësojnë ilegale.

Në një deklaratë të tij, ambasadori ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga fakti se liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën marrëveshje më 21 nëntor.

“Ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë për 48 orë vendosjen e gjobave për t’i lejuar BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të angazhojnë më tej palët për të gjetur një zgjidhje” – thuhej në deklaratën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara.

Pak minuta pas kërkesës së ambasadorit të SHBA-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi përmes një postimi se po e shtyn për 48 orë zbatimin e vendimit për shqiptimin e gjobave.

“Falënderoj ambasadorin Hovenier për angazhimin e tij. E pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh për vendosjen e gjobave për targat e paligjshme “KM” (dhe të tjera). Jam i lumtur që do të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme” – shkroi Kurti në Twitter.

Brenda këtyre 48 orëve, në Bruksel udhëtoi zëvendësi i tij, Besnik Bislimi për t’u takuar me kryenegociatorin Petar Petkoviq, me të cilin nën ndërmjetësimin e BE-së arritën dakordim.

Historiku i marrëveshjes për lëvizje të lirë

Lëvizja e lirë ka qenë njëra nga shumë marrëveshje që Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në kuadër të dialogut. Aq sa është i vjetër dialogu si proces, aq vite ka edhe kjo marrëveshje e nënshkruar që nga 2 korriku i vitit 2011.

Ujdia për lëvizje të lirë parashihte edhe një zgjidhje për targat e automjeteve të cilat kalojnë nëpër dy vendet, duke përfshirë këtu edhe për veturat me targat PR (Prishtinë), GL (Gjilan), PZ (Prizren), KM (Mitrovicë e Kosovës).

Ndonëse nuk njihte targat e automjeteve me mbishkrimin RKS (Republika e Kosovës) por, Serbia ishte pajtuar që targat vetëm në KS, si status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës, të mund të kalonin nëpër territorin e Serbisë.

Në kundërshtim me marrëveshjen e nënshkruar, që nga viti 2011, Serbia ka lëshuar targa me akronimet PR (Prishtinë), GL (Gjilan), PZ (Prizren), KM (Mitrovicë e Kosovës) të cilat autoritet e Kosovës i shohin si ilegale.

Tri vjet më vonë, më 14 shtator 2016, Kosova dhe Serbia provuan edhe një herë gjetjen e një zgjidhjeje për targat. Siç parashihte marrëveshja, përdoruesit e targave “RKS” do të mund të udhëtonin në Serbi pa targa “prova”, por stema “Republika e Kosovës” do të mbulohej me një ngjitëse të bardhë. E njëjta gjë do të vlente për ata që hyjnë në Kosovë me targa “SRB”. Zbatimi i marrëveshjes u zvarrit.

Në shtator të vitit të 2021, Qeveria e Kosovës vendosi që të ketë reciprocitet ndaj veturave me targa të Serbisë, të cilat hynin në Kosovë, duke u kërkuar të vendosin targa të përkohshme gjatë lëvizjes në territorin e Kosovës.

Vendimi i ekzekutivit kosovar u përcoll me shumë pakënaqësi të serbëve të komunave veriore. Për disa javë me radhë, ata bllokuan me barrikada dy pikë-kalimet kufitare, në Jarinjë dhe Bërnjak, deri në arritjen e marrëveshjes me stikera, marrëveshje edhe cila është ende duke u zbatuar.