(Arkiv) Foto: KALLXO.com

Moti në Kosovë, temperatura deri në 37 gradë në 10 ditët e ardhshme

Nga dita e shtunë prej një moti të paqëndrueshëm në Kosovë temperaturat pritet të ngrihen deri në 37 gradë celsius gjatë mesit të javës së ardhshme.

Sipas një njoftimi të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) mot i nxehtë do e përcjellë vendin në 10 ditët e ardhshme.

“Nga dita e shtunë, nën dominimin gradual dhe prezencës së shtypjes së lartë atmosferike, si dhe depërtimit të masave ajrore afrikane, nga mot i paqëndrueshëm mbi vendin dhe rajonin tonë, gradualisht do të mbizotrojë mot stabil, me vranësira të pakta dhe temperatura gjithnjë në rritje të cilat në pjesën e dytë të javës së ardhshme do të arrijnë edhe maksimalet deri në 37°C”- thuhet në njoftim.

Tutje, ASHNA potencon se ndjeshmëria e këtyre temperaturave do jetë e lartë dhe rënduese për shëndetin.

“Shtuar kësaj edhe sasinë e madhe të lagështisë sipërfaqësore prezente nga reshjet enorme të javëve dhe muajve të fundit, ndjeshmëria e këtyre temperaturave përcëlluese do të jetë edhe më e lartë dhe rënduese për shëndetin”- thuhet më tej në njoftim.