Prishtina

Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Moti gjatë ditës së sotme, kjo është cilësia e ajrit

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se edhe gjatë ditës së sotme pritet të kemi mot kryesisht të ngjashëm me ditët paraprake.

Në orët e mëngjesit parashihet të ketë mjegull nëpër ultësira.

Temperatura minimale do jetë -2 gradë celsius, derisa ajo maksimale 14 gradë celsius.

“Mot kryesisht i ngjashëm. Në mëngjes nëpër ultësira parashihet mjegull e radiacionit. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -2 deri -1 gradë Celsius, ndërsa maksimale e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 13-14 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë kryesisht nga drejtimi i verilindjes”, thuhet ne njoftim.

Disa prej qyteteve të Kosovës kanë regjistruar cilësi jashtëzakonisht të dobët të ajrit gjatë ditës së sotme.

Sipas të dhënave nga matësit e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, në Prizren, Pejë dhe Dardhishtë paraqitet cilësi jashtëzakonsisht e dobët të ajrit.

Derisa cilësi e dobët e ajrit është regjistruar në tre matësit në Prishtinë, tek Rilindja, IHMK dhe ai mobil, në Obiliq, Mitrovicë dhe fshatin Palaj.

Kurse, matësi në Brezovicë është i vetmi që ka regjistruar cilësi të pranueshme të ajrit.

Matësit në Gjilan dhe Han të Elezit nuk kanë regjistruar të dhëna.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) bën monitorimin e cilësisë së ajrit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përmes Rrjetit Shtetëror për Monitorimin e Cilësisë së Ajrit.

Ky rrjet është i përbërë nga 12 stacione automatike fikse dhe një stacion automatik mobil.

Shpërndarja e stacioneve dhe përzgjedhja e lokacioneve monitoruese është bërë konform kritereve të Direktivës 2008/50/EU për ajër të pastër në Evropë dhe ligjeve vendore.

Bazuar në kriteret e lartpërmendura stacionet janë shpërndarë në 9 (nëntë) komuna të Republikës së Kosovës: Prishtinë, Obiliq, Drenas, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Shtërpcë (Brezovicë), Hani i Elezit dhe Gjilan.

Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.